
Klevis Balliu kritikon prioritetet e policisë dhe sjell shembuj të ngjarjeve kriminale që sipas tij tregojnë rritjen e pasigurisë në vend
Në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes është zhvilluar një seancë dëgjimore me ministren Albana Koçiu, pas kërkesës së një grupi deputetësh të opozitës për të diskutuar situatën aktuale të sigurisë publike në vend.
Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat Klevis Balliu u shpreh se vendi po përballet me një klimë të rënduar kriminale dhe se institucionet e sigurisë nuk po marrin masat e nevojshme. Ai solli në vëmendje ngjarje të rënda, duke përfshirë vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe raste të shumta të armëmbajtjes pa leje.
Sipas tij, Policia e Shtetit nuk ka ekzekutuar dhjetëra urdhër-arreste të lëshuara nga organet e hetimit, ndërkohë që përqendrohet tek masa administrative të tilla si ndalimi i monopatinave apo kontrollet në ndërtimet pa leje.
Balliu theksoi se opozita kërkon që Ministria e Brendshme të ndërmarrë veprime konkrete për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe institucioneve, ndërsa debati në komision pritet të vijojë dhe në seanca të tjera të radhës.
