
Reagimi i kryeministrit spanjoll në rrjetin X kthehet në viral pas komenteve të Mask mbi legalizimin e 500 mijë emigrantëve
Një përplasje virtuale mes Elon Mask dhe kryeministrit të Spanjës, Pedro Sánchez, ka tërhequr vëmendjen e madhe në rrjetet sociale, pas një postimi të Mask që lidhej me politikën e emigracionit në Spanjë.
Mask, i cili ka mbi 233 milionë ndjekës në platformën X, ka shpërndarë një postim ku pretendohej se Spanja kishte legalizuar 500 mijë emigrantë pa dokumente për të frenuar rritjen e ekstremit të djathtë. Postimi e përshkruante këtë vendim si një formë inxhinierie elektorale, duke sugjeruar se qeveria synon të krijojë një bllok të ri votuesish besnikë ndaj së majtës.
Reagimi i Mask ishte i shkurtër, por i mjaftueshëm për të ndezur debatin. Ai u mjaftua me një wow, duke e amplifikuar ndjeshëm përhapjen e lajmit për shkak të ndikimit të tij global.
Pak më vonë, Pedro Sánchez iu përgjigj publikisht me një mesazh simbolik, duke deklaruar se Marsi mund të presë, por njerëzimi jo. Ky reagim u shpërnda me shpejtësi dhe brenda 10 orëve arriti mbi dy milionë shikime dhe më shumë se 28 mijë pëlqime.
Në lidhje me përmbajtjen reale të propozimit, bëhet fjalë për një marrëveshje politike të shpallur nga Irene Montero, sipas së cilës partia Podemos ka rënë dakord me PSOE për një proces të jashtëzakonshëm rregullimi për emigrantët në situatë të parregullt.
Sipas kësaj nisme, rreth gjysmë milioni persona që tashmë jetojnë dhe punojnë në Spanjë mund të përfitojnë dokumente, por jo përmes një legalizimi automatik. Procesi parashikon kritere të përcaktuara dhe kërkon zhvillim të mëtejshëm ligjor nga qeveria në muajt në vijim.
Debati i ndezur në rrjet ka rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes politikat e emigracionit në Europë dhe ndikimin që deklaratat e figurave globale si Elon Musk mund të kenë në diskursin publik.
