Demokratët refuzuan thirrjen e fundit të socialistëve për t’u ulur në Komisionin e Reformës Territoriale.
Sali Berisha deklaroi se nuk bashkëpunon me Edi Ramën përsa kohë bllokon drejtësinë për çështjen ‘Balluku’ dhe i mblodhi në seli të vetët, nga ku njoftoi edhe planin e demokratëve.
“Janë me qindra qytetarë që më shkruajnë dhe më thonë se nuk duhet të largohemi nga bulevardi pa larguar Edi Ramën. Ne drejt asaj do të shkojmë. Të themi të vërtetën. Ne drejt asaj do të shkojmë në mënyrë të pashmangshme, në mënyrë të sigurt”, tha Berisha.
Por, qëndrimit të Berishës i ka dalë kundër një pjesë e madhe e deputetëve demokratë, të cilët thonë se opozita nuk duhet t’i braktisë dy komisionet për reformat e posaçme. Një prej tyre ishte edhe deputetja demokrate, Ina Zhupa e cila tha se s’duhet ta lënë hapësirën e opozitës bosh, ndërsa deputeti Eno Bozdo ka deklaruar se duhet të marrin pjesë dhe të grisin reformën e socialistëve.
“Nuk duhet ta lëmë hapësirën bosh në Komisionin e Reformës Territoriale. Pavarësisht nëse na dëgjojnë apo nuk na dëgjojnë, ne shkojmë për qytetarët dhe interesin publik”, tha Zhupa.
“Që ata do bejnë çfarë duan ata, ne këtë e kemi të qartë, por ne duhet të shfrytëzojmë pjesemarrjme tonë për të ‘grisur’ reformën që kanë bërë deri më sot”, tha Bozdo.
Deputeti Bledjon Nallbati gjithashtu është shprehur kundër vendimit të Sali Berishës për të bojkotuar komisionet e posaçme, atë të Zgjedhores dhe Territoriales. Në mbledhjen e grupit parlamentar me dyer të mbyllura, Nallbati ka thënë se nëse bojkotohen komisionet, atëherë duhet që PD të mos shkojë as në parlament.
“Jemi bere si filmi ‘Dy herë mat, edhe akullore edhe çokollatë’, shkojmë në parlament, nuk shkojmë në dy komisionet më të rëndësishme. Nëse shkojmë me idenë qe Edi Rama s’na jep asgjë, më mirë mos të shkojmë në parlament fare.
Duhet shkojmë të shpalosim atje opsionin tonë për qytetarët, pastaj nëse zgjedhim variantin e bojkotit, të bojkotojmë çdo gjë, të shkojmë në grevë, në përshkallëzime më të mëdha. Nuk shkon të shkojmë në komisione të tjera e jo te reformat, duhet të ndajmë mendjen”, tha Nallbati.
Edhe Tritan Shehu i ka dalë kundër Sali Berishës, i cili kërkon të vijojë bojkoti i komisioneve të posaçme, të Reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale.
Shehu ka thënë se është një kohë që mazhoranca ka mbyllur çdo derë dhe në këto kushte bojkoti nuk është zgjidhja. Tritan Shehu tha se i takon kryesisë të vendosë.
“Asnjë prej nesh nuk do bojkot, në kushtet kur mazhoranca ka mbyllur çdo derë dhe në këto kushte të parlamentarizmit detyrohesh të marrësh qëndrime ekstreme”, mësohet të ketë thënë Tritan Shehu.
Zërave kundër Berisha iu përgjigj duke thënë se vendimarrjen finale duhet ta marrë Kryesia e PD.
