
Reshjet e natës kanë përfshirë zonat malore, disa fshatra të izoluara dhe probleme me energjinë elektrike
Reshjet e dendura të dëborës gjatë natës kanë zbardhur zonat malore të qarkut Elbasan, duke sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe kufizime në disa akse rrugore. Situata është përkeqësuar veçanërisht në zonat e thella malore, ku lëvizja lejohet vetëm me përdorimin e zinxhirëve.
Pas ndërhyrjes së shërbimeve përgjegjëse, aksi nacional Prrenjas–Qafë Thanë raportohet i kalueshëm pa probleme, ndërsa në akse të tjera si Librazhd–Peshkopi, Elbasan–Gracen, Elbasan–Gjinar, Elbasan–Labinot Mal dhe Elbasan–Funare, qarkullimi i mjeteve mund të kryhet vetëm me zinxhirë.
Në bashkinë e Librazhdit, rrugët Librazhd–Steblevë dhe Librazhd–Qarrisht gjithashtu kërkojnë përdorimin e zinxhirëve, ndërsa disa fshatra në Prrenjas dhe Gramsh raportohen të bllokuara për shkak të trashësisë së dëborës.
Si pasojë e motit të keq, në disa zona janë shënuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike, duke krijuar shqetësime për banorët. Sipas parashikimeve meteorologjike, moti pritet të përkeqësohet edhe më tej gjatë orëve në vijim, me reshje të tjera dëbore dhe temperatura të ulëta që rrisin rrezikun në qarkullim.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të përdorin zinxhirë në rrugët malore dhe të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë gjatë udhëtimit.
