

Rostov bëhet pika më e dhimbshme e luftës, morgu ku mijëra rusë kërkojnë gjurmë të të afërmve të tyre të rënë në Ukrainë
Në qytetin Rostov mbi Don, rreth 2 mijë kilometra nga Moska, ndodhet një vend i përshkruar nga ushtarakë dhe vullnetarë si “degë e ferrit”. Është morgu gjigant ku prej vitit 2022 kalojnë trupat e shumtë të ushtarëve rusë, të vrarë në luftën e Ukrainës. Çdo ditë, dhjetëra familjarë mbërrijnë tek 522 Qendrat e Pranimit, Trajtimit dhe Dërgimit të Trupave (CRTEC), duke shpresuar të njohin një të afërm mes viktimave, falë një tatuazhi, një shenje në lëkurë apo një dhëmbi.
Puna e atyre që shërbejnë brenda është e përshkruar si makth. “Transportoj trupat, i vesh me uniformë, i vendos në arkivol dhe u vendos emblemat ushtarake. Për analizën e ADN, merret lëkurë, këputen tendina dhe priten copa kockash. I përgatis për udhëtimin e fundit,” -rrëfen Sergei, një punonjës 40-vjeçar që pranon se ky shërbim është më pak i rëndë se të luftonte vetë në front.
Në një atmosferë të rënduar nga dhimbja, vendi është njëkohësisht edhe strehë për ata që nuk duan të jenë në vijën e parë të frontit, por që shohin nga afër pasojat më të dhimbshme të luftës. Për shumë familje, ky morg është stacioni i fundit ku shpresa dhe dëshpërimi takohen përpara një arkivoli.