
Alarm politik për kriminalizim, varfërim dhe largim masiv të shqiptarëve
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të premte një dëgjesë publike me partitë opozitare, përfaqësues të shoqërisë civile, sindikatave, medias dhe intelektualë, ku lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar Shqipërinë një narkoshtet dhe rrezik serioz për Europën.
Berisha deklaroi se modeli i qeverisjes aktuale ka shndërruar vendin në një qendër të karteleve të drogës, të cilat sipas tij kanë kapur institucionet, kanë ndikuar drejtpërdrejt në proceset zgjedhore dhe kontrollojnë vendimmarrjen politike. Ai theksoi se Shqipëria, ndonëse vend anëtar i NATO-s, sot paraqitet si kërcënim për sigurinë europiane për shkak të fuqizimit të grupeve kriminale.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te trafiku ndërkombëtar i drogës, duke deklaruar se kartelet shqiptare kanë rol kyç në përcaktimin e çmimit të kokainës në tregun europian dhe se aktiviteti i tyre shtrihet përtej Europës, deri në Shtetet e Bashkuara, Australi dhe Azi. Ai përmendi edhe emrin e Diego Benitez, duke pretenduar se ky trafikant bashkëpunon me dhjetëra klane shqiptare në Amerikën Latine.
Një pjesë e rëndësishme e akuzave të Berishës iu kushtua Ergys Agasi, të cilin ai e cilësoi si njeriun më të afërt të Ramës. Sipas Berishës, Agasi ka vepruar për llogari të bandave kriminale, duke larguar nga detyra tre ministra të Brendshëm dhe duke ushtruar presion politik në nivelet më të larta të shtetit.
Berisha shkoi më tej duke deklaruar se Agasi ka organizuar edhe pengmarrjen e ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj nga Lugano, për shkak të denoncimeve publike që ai ka bërë nga jashtë vendit. Sipas tij, ky veprim dëshmon se regjimi aktual përbën rrezik jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për Europën.
Kreu i PD-së e përshkroi Shqipërinë si një lavatriçe gjigante të pastrimit të parave të drogës, duke e lidhur këtë fenomen me rritjen e pazakontë të ndërtimit dhe çmimet e larta të banesave. Ai theksoi gjithashtu pasojat sociale dhe demografike, duke deklaruar se në dhjetë vitet e fundit mbi 43 përqind e shqiptarëve janë detyruar të largohen nga vendi, ndërsa vendi po përjeton rënie të fortë të lindshmërisë dhe rritje të emigracionit.
Në përfundim, Berisha u shpreh se opozita dhe shoqëria civile duhet të krijojnë një front të përbashkët për të përballuar situatën, duke e konsideruar momentin aktual si përcaktues për të ardhmen e Shqipërisë dhe duke kërkuar zgjidhje politike, përfshirë edhe një qeveri teknike.
