
Rama shpërthen kundër kundërshtarëve: Kur arroganca kthehet në politikë shtetërore
Deklaratat e fundit të Kryeministrit Edi Rama ndaj Partisë Demokratike dhe kandidatit të pavarur Florjan Binaj shënojnë një tjetër pikë të ulët në komunikimin politik shqiptar. Në vend që të flasë për program, transparencë apo rezultate konkrete, kreu i qeverisë ka zgjedhur sulmin personal, etiketimin dhe banalitetin verbal; një strategji e njohur për të shmangur llogaridhënien.
Rama deklaroi se shumica e voton jo sepse jemi më të mirë, por sepse nuk ka më të mirë, ndërsa kundërshtarët i quajti kashtë e k…qe që nuk i duhen dreqit; një gjuhë që nuk i shkon asnjë funksionari publik, aq më pak Kryeministrit të një vendi që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Duke thënë se njerëzit e votojnë se nuk kanë më të mirë, Rama jo vetëm sulmon opozitën, por fyen drejtpërdrejt qytetarët të cilët, sipas logjikës së tij, po zgjedhin më të keqin, vetëm se s’kanë alternative.
Kjo është filozofia e një pushteti që nuk e pranon garën, nuk duron kritikën dhe nuk e pranon faktin se besimi nuk fitohet me fjalë, por me rezultate.
Kryeministri e quajti kandidatin Florjan Binaj aktor që luan rolin e kandidatit të pavarur. Por fakti që i dedikon një pjesë të fjalimit të tij tregon pikërisht të kundërtën: kandidatura e Binajt po prodhon shqetësim real në PS, e cila nuk është mësuar me kandidatë që nuk kontrollohen nga partia.
Kryeministri akuzon PD se u arratis nga zgjedhjet, por shmang faktin se vetë qeveria prodhoi një terren politik pa besim, me institucione të kapura dhe me një proces të rregulluar sipas interesave të pushtetit.
Është e lehtë të tallesh me kundërshtarin kur i ke mbyllur derën e garës së ndershme.
Rama thotë se kundërshtarët e sfidojnë me sharje dhe muskulaturë, ndërsa vetë zgjedh të përdorë sharje, ironi dhe përçmim. Ky është paradoksi i një pushteti që kërkon të shfaqet si intelektual, por flet si militant partie.
Retorika e tij nuk është më thjesht arrogancë; është sinjal i një mazhorance që ndjen lodhjen e pushtetit dhe rritjen e pakënaqësisë publike.
