
Pas ekzekutimit të gjyqtarit Astrit Kalaja, familjari i autorit, Gjovalin Shkambi, ka bërë një deklaratë kërcënuese ndaj sistemit të drejtësisë, duke shpallur publikisht hakmarrje ndaj çdo gjyqtari që mund të dënojë nipin e tij.
Tirana është ende nën tronditjen e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ndërsa sot situata ka marrë një kthesë edhe më të rëndë. Gjovalin Shkambi, xhaxhai i autorit të krimit Elvis Shkambi, ka lëshuar një kërcënim të hapur ndaj drejtësisë shqiptare, duke paralajmëruar se kushdo që do të dënojë nipin e tij, do të përballet me plumba.
Në një deklaratë për mediat, Shkambi është shprehur se familja e tij është tradhtuar nga shteti dhe se konflikti për pronën që çoi në ngjarjen tragjike ka zgjatur për më shumë se 13 vjet. Ai pretendon se prona është blerë me dokumente të rregullta, por se drejtësia nuk u ka dhënë asnjëherë të drejtë, pavarësisht shkresave që, sipas tij, janë dërguar edhe te Kryeministri dhe institucionet më të larta të vendit.
“Ai që do ta dënojë nipin tim do të përballet me plumba. Kemi 13 vite që i shkruajmë kryeministrit dhe gjithë qeverisë. Pronën e kemi blerë me ligj dhe me dokumente të rregullta. Familjes së gjyqtarit i ulem në gjunjë, por shteti na ka prerë në besë,” – deklaroi Gjovalin Shkambi.
Ai shtoi se familja është futur në borxhe për të ndjekur proceset gjyqësore dhe se ndihen të braktisur e të zhgënjyer nga shteti.
Deklarata e tij ka shkaktuar indinjatë dhe alarm në sistemin e drejtësisë, duke ngritur pyetje mbi sigurinë e trupës gjyqësore dhe përmasat e tensionit që ka marrë çështja Shkambi pas ngjarjes së rëndë në sallën e Gjykatës së Apelit.
Autoritetet pritet të nisin hetim për nxitje dhune dhe kërcënim ndaj gjyqtarëve, ndërsa burime nga policia konfirmojnë se deklarata është marrë në vëmendje të menjëhershme për vlerësim penal.
Në të njëjtën kohë, opinioni publik kërkon reaksion të fortë institucional, duke theksuar se kjo deklaratë nuk është vetëm shpërthim emocional, por sulm i drejtpërdrejtë ndaj rendit dhe drejtësisë në vend.