Mjekët paralajmërojnë se ajri në kryeqytetin indian është bërë po aq i dëmshëm sa pirja e 50 cigareve në ditë, ndërsa autoritetet mbyllin shkollat dhe bëjnë thirrje për kufizim të lëvizjes.
Në Delhi, një nga kryeqytetet më të ndotura të botës, është shpallur gjendje emergjence shëndetësore pas rritjes ekstreme të ndotjes së ajrit, që ka arritur nivele përtej matjeve të zakonshme. Autoritetet shëndetësore deklaruan se qyteti ndodhet përballë një krize të rëndë mjedisore, ndërsa mjekët e krahasojnë ndotjen aktuale me efektin e pirjes së 50 cigareve në ditë.
Sipas të dhënave të fundit, niveli i grimcave të dëmshme PM2.5 në ajër ka arritur në 710 mikrogramë për metër kub, më shumë se 11 herë mbi kufirin e sigurt të përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Këto grimca mikroskopike, që përfshijnë substanca kancerogjene si plumbi, arseniku dhe kadmiumi, depërtojnë lehtësisht në gjak dhe dëmtojnë organet vitale të trupit.
Dr. Arvind Kumar, shef i kirurgjisë torakale në spitalin Sir Ganga Ram, tha se njësitë e kujdesit intensiv janë mbushur me pacientë që vuajnë nga pneumonia, kriza astme dhe probleme të rënda të frymëmarrjes. “Ka efekte të tmerrshme në çdo pjesë të trupit. Njerëzit po mbeten pa frymë,” – u shpreh ai.

Kryeministri i Delhit, Arvind Kejriwal, e përshkroi situatën si “dhomë gazi”, ndërsa njoftoi mbylljen e shkollave fillore dhe pezullimin e aktiviteteve të hapura. Autoritetet paralajmëruan qytetarët të shmangin daljet nga shtëpia dhe të mbajnë maska mbrojtëse, ndërsa trafiku ajror dhe hekurudhor u përball me vonesa të mëdha për shkak të smogut që mbuloi gjithë qytetin.
Grupet mjedisore si Greenpeace paralajmërojnë se ndotja kronike e ajrit në Indi po arrin nivele alarmante, duke shkaktuar rreth 2.5 milion vdekje çdo vit. Shkaqet kryesore mbeten djegia e mbetjeve bujqësore, trafiku i dendur, pluhuri i rrugëve, centralet termike dhe mungesa e zbatimit të ligjeve mjedisore.
Krizat e ndotjes janë bërë të zakonshme në Delhi gjatë muajve të dimrit, kur erërat e ngadalta dhe temperaturat e ulëta mbajnë ndotësit e ajrit pranë tokës. Pavarësisht ndalimit të fishekzjarrëve gjatë Diwalit dhe mbylljes së termocentraleve me qymyr, qyteti mbetet një nga zonat me ajrin më toksik në planet.
Mjekët i kanë bërë thirrje qeverisë indiane të marrë masa urgjente, përfshirë pezullimin e ngjarjeve sportive si gjysmë-maratona e planifikuar në Delhi, për të shmangur pasoja të rënda në shëndetin publik.
