
Indeksi i cilësisë së ajrit shënon vlera ekstreme pavarësisht masave të emergjencës në fuqi në kryeqytetin indian
Kryeqyteti i Indisë, Delhi, është zgjuar edhe këtë të shtunë i mbuluar nga një shtresë e trashë smogu, ndërsa ndotja e ajrit ka mbetur në nivele kritike. Sipas të dhënave zyrtare të Bordit Qendror të Kontrollit të Ndotjes, Indeksi i Cilësisë së Ajrit ka arritur në 462, duke u renditur në kategorinë më të rrezikshme për shëndetin.
Situata paraqitet edhe më e rënduar krahasuar me një ditë më parë, pavarësisht se në të gjithë Delhin dhe Rajonin e Kryeqytetit Kombëtar janë në fuqi masat e nivelit të katërt të Planit të Reagimit të Shkallëzuar për Ndotjen. Zona si Ghazipur, Anand Vihar dhe ITO kanë përjetuar rënie të ndjeshme të shikueshmërisë, ndërsa shumë lagje të qytetit vazhdojnë të raportojnë ajër tejet të ndotur.
Matjet e mëngjesit tregojnë se Bawana ka regjistruar nivelin më të lartë të ndotjes me AQI 497, e ndjekur nga Narela me 492 dhe Okhla Phase 2 me 474. Edhe zonat me nivelet më të ulëta, si NSIT Dwarka, kanë shënuar vlera shqetësuese mbi 400, çka tregon se i gjithë qyteti ndodhet në kushte alarmante.
Autoritetet kanë bërë të ditur se transporti mbetet burimi kryesor i ndotjes së ajrit në Delhi, duke kontribuar me rreth një të pestën e emetimeve totale. Pas tij renditen aktivitetet industriale dhe ndotja që vjen nga qytetet përreth, duke e përkeqësuar më tej situatën në kryeqytet.
Komisioni për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit ka urdhëruar zbatimin e menjëhershëm të të gjitha masave kufizuese, ndërsa qytetarëve u rekomandohet të shmangin daljet e panevojshme dhe aktivitetet në ambiente të hapura. Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se nëse kushtet atmosferike nuk ndryshojnë, ndotja e ajrit mund të vijojë në nivele të rrezikshme edhe në ditët në vijim.
