
Reshjet intensive rrisin ndjeshëm nivelin e Vjosës, autoritetet në gatishmëri të lartë
Stuhia e orëve të fundit ka goditur rëndë zonën e Fierit, ku qindra metra serra me luleshtrydhe janë shkatërruar në Njësinë Administrative Cakran, fshatin Buzemadh. Sipas fermerëve, rreth 1.2 hektarë të mbjella janë dëmtuar plotësisht, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme ekonomike për familjet që mbështeten te prodhimi i kësaj kulture.
Fermerët kanë publikuar pamje të dëmeve dhe i kanë bërë thirrje institucioneve për ndihmë të menjëhershme, pasi infrastruktura bujqësore në zonë është thuajse jashtë funksioni.
Ndërkohë, situata hidrologjike në gjithë qarkun mbetet e rënduar. Prurjet e lumit Vjosë po rriten me ritme të shpejta në segmentet Përmet–Memaliaj dhe në pikëmatjen e Urës së Mifolit, duke rritur rrezikun për përmbytje të reja.
Përballë kësaj situate, struktura operacionale kanë vendosur mjete të tonazhit të rëndë pranë zonave të konsideruara si kritike, përfshirë pesë skrepa dhe mjete të larta transporti, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme në rast se situata përkeqësohet.
Në terren po vijon monitorimi i vazhdueshëm i lumenjve, ndërsa autoritetet lokale u bëjnë apel banorëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.
