
Berisha thërret protestën e dytë brenda një jave, mes akuzave për mungesë hapësire në Parlament dhe bllokim të zërit opozitar
Demokratët e drejtuar nga Sali Berisha zhvillojnë sot protestën e radhës para godinës së Kryeministrisë, në formatin e asaj që ata e quajnë parlament qytetar. Deputetë, figura publike dhe mbështetës të opozitës do të marrin fjalën për të artikuluar mesazhet e tyre politike, ndërsa kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
Ky është tubimi i dytë brenda një jave që zhvillohet në të njëjtin vend. Edhe pse pjesëmarrja e protestës së kaluar ishte e kufizuar, demokratët thonë se këto nuk synojnë të jenë protesta masive, por aksione politike për sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar dhe të opinionit publik mbi situatën në Parlament.
Sipas PD, mazhoranca po kufizon seriozisht hapësirat e opozitës në Kuvend, duke bllokuar debatin dhe duke mos lejuar që zëri i saj të dëgjohet në sallë. Për këtë arsye, sipas tyre, protesta në shesh shndërrohet në mjetin e vetëm të komunikimit politik.
Berisha ka paralajmëruar se Foltore2 do të vazhdojë me një ritëm të përjavshëm dhe se organizimi i këtyre tubimeve do të bazohet kryesisht te strukturat e PD në Tiranë.
