
Ministria e Mbrojtjes njofton se fondet do të shpërndahen sipas nivelit të dëmeve: Kruja, Gramshi dhe Finiqi përfituesit kryesorë
Mbi 345 milionë lekë do të shpërndahen si dëmshpërblim për 15 bashki të vendit që u prekën nga zjarret gjatë sezonit veror. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes, e cila thekson se ndarja e fondeve është bërë në bazë të shkallës së dëmeve të shkaktuara nga flakët.
Bashkia e Krujës rezulton përfituesja kryesore, me 146 milionë lekë, duke reflektuar dëmet më të mëdha të regjistruara gjatë verës. Pas saj renditet Gramshi me 86.6 milionë lekë dhe Finiqi me 40 milionë lekë.
Një pjesë e konsiderueshme e fondeve do të shkojë edhe për bashki të tjera të prekura, ku Delvina përfiton 36 milionë lekë, Dropulli 7.7 milionë lekë, Malësia e Madhe 6.6 milionë lekë dhe Peqini 4 milionë lekë.
Ndërkohë, bashkitë Dibër, Kamëz, Maliq dhe Rrogozhinë do të marrin shuma më të kufizuara, ndërsa Kukësi, Librazhdi dhe Tepelena renditen ndër zonat më pak të prekura, me dëmshpërblime nën 1 milion lekë.
Sipas ndarjes zyrtare të fondeve, përfitimet për secilën bashki janë si më poshtë: Delvinë 36 milionë lekë, Dibër 10.5 milionë lekë, Gramsh 86.6 milionë lekë, Has 0.7 milionë lekë, Rrogozhinë 1.8 milionë lekë, Krujë 146 milionë lekë, Kukës 0.6 milionë lekë, Librazhd 0.2 milionë lekë, Peqin 4 milionë lekë, Tepelenë 0.3 milionë lekë, Kamëz 2 milionë lekë, Maliq 1.2 milionë lekë, Finiq 40 milionë lekë, Dropull 7.7 milionë lekë dhe Malësi e Madhe 6.6 milionë lekë.
Autoritetet bëjnë me dije se fondet synojnë të mbulojnë dëmet materiale të shkaktuara nga zjarret dhe të ndihmojnë bashkitë në rikuperimin e zonave të prekura, ndërsa theksojnë rëndësinë e masave parandaluese për sezonet e ardhshme.
