
Deputetja e PD kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të Prokurorisë dhe SPAK, duke akuzuar punonjës shtetërorë për intimidim të qytetarëve
Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, ka ngritur një tjetër denoncim në lidhje me procesin e votimit në Bashkinë Mat. Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ajo ka akuzuar punonjës të administratës shtetërore se po qëndrojnë në një lokal përballë qendrës së votimit dhe po mbajnë shënime mbi personat që hyjnë për të votuar.
Vata e cilëson këtë si një formë presioni të drejtpërdrejtë ndaj votuesve, e cila sipas saj po zhvillohet në sy të policisë dhe institucioneve përgjegjëse.
“Përballë qendrës së votimit ndodhen drejtues të administratës dhe vartës të tyre që shënojnë se kush voton. Kjo është një mënyrë për të frikësuar qytetarët. U bëj thirrje Prokurorisë së Dibrit dhe SPAK të ndërhyjnë menjëherë,” është shprehur Vata në deklaratën e saj.
Sipas deputetes, ky fenomen nuk është i ri dhe ajo pretendon se ka paralajmëruar edhe më herët për këtë lloj praktikash, duke thënë se sinjalizimet kanë ardhur nga brenda strukturave të PS.
Ajo thekson se prania e administratës pranë qendrave të votimit duhet të ndalohet menjëherë, pasi shkel parimin e votës së lirë dhe të fshehtë.
Ndërkohë, institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me denoncimin. Procesi i votimit vijon në bashkitë ku sot po zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore.
