
Vendimi vjen një muaj e gjysmë pas dënimit për vrasjen e bashkëshortes Delphine dhe përfshin tërheqjen e plotë të të drejtave ndaj dy fëmijëve të çiftit
Drejtësia franceze ka vendosur t’i heqë plotësisht autoritetin prindëror Cédric Jubillarit, i dënuar më 17 tetor me 30 vite burg për vrasjen e bashkëshortes së tij, Delphine Jubillar. Vendimi civil u shpall këtë të hënë nga gjykata e assizëve të Tarn, pas kalimit në debat të interesave civile që pasuan dënimin penal.
Sipas vendimit, Jubillar humbet të gjitha të drejtat prindërore ndaj dy fëmijëve të tij, Louis 11 vjeç dhe Elyah 6 vjeç, të cilët që prej zhdukjes së nënës në dhjetor 2020 jetojnë nën kujdesin e tezes nga ana e nënës. Gjykata thekson se legjislacioni parashikon heqjen automatike të autoritetit prindëror kur një prind dënohet për krim ndaj prindit tjetër.
Gjatë katër javëve të procesit, dëshmi të shumta treguan për dhunë fizike dhe psikologjike të ushtruar nga Jubillar ndaj djalit të tij, nga goditje e deri te ndëshkimet degraduese. Avokatët e fëmijëve e cilësuan vendimin si një hap të domosdoshëm dhe të natyrshëm pas fakteve të zbardhura në gjykatë.
Cédric Jubillar ka 10 ditë kohë për të apeluar heqjen e autoritetit prindëror. Paralelisht, ai dhe prokuroria kanë apeluar edhe vendimin penal, çka pritet ta çojë çështjen për rigjykim brenda një viti në një tjetër gjykatë penale.
