“Shtëpitë po ngelen bosh. Shumë të moshuar rrojnë të vetmuar, pa përkujdesje dhe shpesh vdesin në heshtje. Të rinjtë nuk po gjejnë shpresë në Shqipëri. Ata që kanë ngelur nëpër fshatra, punojnë ditë e natë, pa pushim, e të dielave, si sot dhe nuk u del gjë. Veç mbajnë frymën”. Kështu shkruan gazetari Xhensil Shkëmbi i cili denoncon se fshatrat po zhduken, sidomos ato që janë larg asfaltit.
Ato pa rrugë. Pa jetë. Pa qendra shëndetësore. Aty ku mjeku shkon njëherë në 3 muaj ose nuk shkon fare. Aty ku shkollat janë me klasa kolektive ose janë kthyer në hambare për jonxhen e lopëve. Pakkush po flet për fshatrat e Korçës, Kolonjës, Pogradecit, Devollit, Maliqit e Pustecit.Pakkush po flet se nuk ka më zhurma të rinjsh nëpër fshatra. Tokat po mbeten batallë. Pa faj të njerëzve. Edhe të punosh fort, ministria mbështet fermerët e mëdhenj e jo të vegjël.”Edhe lopa nuk po nxjerr më qumësht, nga inati njerëzve, që dikur i shtinin tre herë në ditë tagji, ndërsa sot hanë dy herë për vete dhe njëherë shkojnë t’i hedhin lopë “- përfundon statusin e tij gazetari.
