
Gazetari Osman Stafa ka publikuar në rrjetet sociale letrën e një mjekeje, e cila në 2017-ën, denonconte atë që po ndodhte në spitalin e Onokologjisë në QSUT, kohë që drejtoreshë e qendrës më të madhe spitalore në vend ishte Ogerta Manastirliu.
Bëhet fjalë për denoncimin e bërë në atë kohë nga mjekja Aida Dragoshi Decaj, e cila përmes një letre drejtuar drejtoreshës së asaj kohe, Manastirliu ku denoncon veprimet e Majlinda Buba Ikonomit, mjeke në Onkologjik.
Sipas denoncueses, për ditë me rradhë, janë nxjerrë jashtë QSUT, arshiva e përgjigjeve të biopsisë, ndërsa përgjigjet e biopsive të pacientëve vonohen.
Nga denoncimi i 2017-ës ngrihen pretendime se pacientët i drejtojnë drejt klinikave dhe spitaleve private.
Letra në fjalë tregon se Manastirliu, e cila më pas mori detyrën e ministres së Shëndetësisë, ka qenë në dijeni të plotë të asaj që ndodhte në Onkologjik, por duket se nuk ka marrë asnjë masë.
Letra e vitit 2017 që i drejtohej Ogerta Manastirliut si drejtore e QSUT
Ndërkohë në postimin e tij, gazetari Stafa i cili prej kohësh denoncon skandalet në Onkologjik, pyet nëse nga Manastirliu, apo pasardhësi i saj Enkel Joti në krye të QSUT, janë kryer hetime për akuzat e ngritura ndaj Majlinda Buba Ikonomi?
“A është krijuar një grup pune, për të vërtetuar ose jo, këto pretendime të një mjekeje që punon në atë shërbim?
Në këtë rast biopsitë, aq të rëndësishme për pacientët e tjerë për kancerin.
Deklarimet e kesaj mjeke janë shumë të rënda dhe kriminale. Prandaj e përsërit, në ka pasur hetime nga drejtoria e QSUT, apo Ministria e Shëndetësisë në këtë drejtim?”, shkruan Stafa./Pamfleti