
Pamjet e publikuara gabimisht nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë shkaktuan reagime të forta dhe rikthyen teoritë e vjetra të konspiracionit
Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi për pak kohë një video të rreme që pretendohej se tregonte momentet e fundit të Jeffrey Epstein në qelinë e tij në Manhatan, duke shkaktuar një valë reagimesh dhe konfuzioni në rrjetet sociale.
Pamjet, të gjeneruara në mënyrë kompjuterike dhe të publikuara pa shpjegim si pjesë e dosjeve të reja të Epstein, u interpretuan fillimisht nga shumë përdorues si prova e munguar prej vitesh. Vetëm pak më vonë, dokumente të tjera zbuluan se videoja nuk ishte autentike, por një material i vjetër që kishte qarkulluar prej kohësh në forume online dhe ishte identifikuar më parë nga hetuesit si e rreme.
Një zyrtar i administratës së Donald Tramp konfirmoi se pamjet kishin qenë të disponueshme edhe më herët në platforma si YouTube dhe se publikimi në faqen zyrtare të DOJ ishte një gabim. Videoja u hoq, por jo para se të shkaktonte një shpërthim interesimi dhe spekulimesh.
Rasti i Epstein vazhdon të mbetet një nga më të debatuarit në SHBA, pikërisht për shkak të mungesës së pamjeve të drejtpërdrejta nga brenda qelisë natën e vdekjes së tij. Kjo boshllëk informacioni ka ushqyer për vite me radhë teori të shumta, pavarësisht se hetimet zyrtare kanë deklaruar se nuk ka prova për një skenar të fshehtë apo përfshirje të palëve të treta.
Publikimi i dosjeve të reja, i miratuar nga Kongresi në nëntor, ka nxjerrë në dritë fotografi dhe dokumente të shumta, përfshirë imazhe komprometuese me figura të njohura publike si Bill Clinton. Megjithatë, sipas autoriteteve amerikane, asnjë prej materialeve të publikuara deri tani nuk ka prodhuar prova konkrete për një komplot të organizuar rreth vdekjes së Epstein.
Rasti mbetet nën lupën e opinionit publik, ndërsa autoritetet amerikane përpiqen të balancojnë transparencën me sqarimin e keqinterpretimeve që mund të lindin nga publikimi masiv i dokumenteve sensitive.
