Deputetët e Partisë Demokratike zhvilluan sot një takim me Mark Fleming, Drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili zbardh diksutimet që demokratët zhvilluan me zyrtarin e DASH.
Bardhi theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten një partner strategjik dhe i pazëvendësueshëm për Shqipërinë dhe rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian.
Ai nënvizoi se vendi ka nevojë urgjente për një luftë të mirëfilltë kundër krimit të organizuar, të bazuar në institucione të pavarura dhe qeverisje të përgjegjshme.
“Shqipëria ka nevojë për luftë reale ndaj krimit të organizuar, dhe për këtë nevojitet një qeverisje e përgjegjshme, e pa lidhur me krimin e organizuar, si dhe një drejtësi e pavarur dhe me integritet,” shkruan Bardhi.
Ai shtoi se lufta kundër krimit të organizuar është një detyrim për çdo vend anëtar të NATO-s, ndërsa rikonfirmoi mbështetjen e SHBA-së për institucionet shqiptare dhe procesin e integrimit europian..
