
Anders Vistisen i drejtohet presidentit amerikan me tone të ashpra për Groenlandën, drejtuesit e seancës paralajmërojnë pasoja
Një moment i pazakontë dhe i tensionuar është regjistruar në Parlamentin Europian, ku deputeti danez Anders Vistisen është ndërprerë dhe qortuar pasi i është drejtuar presidentit amerikan Donald Tramp me gjuhë fyese gjatë një debati për pretendimet e SHBA mbi Groenlandën.
Gjatë fjalës së tij, Vistisen theksoi se Groenlanda ka qenë pjesë e Mbretërisë së Danimarkës për rreth 800 vite dhe se territori nuk është në shitje. Ai e përshkroi Groenlandën si një vend të integruar plotësisht dhe kundërshtoi çdo ide për blerje apo presion nga ana e Uashingtonit.
Deklarata e tij mori kthesë të fortë kur deputeti danez përdori një shprehje vulgare në adresë të Donald Tramp, duke pretenduar se po fliste në një gjuhë që presidenti amerikan do ta kuptonte më mirë. Menjëherë pas kësaj, ai përfundoi fjalimin në gjuhën daneze dhe u largua nga foltorja.
Reagimi nuk vonoi. Nënkryetari i Parlamentit Europian, Nicolae Ștefănuță, ndërhyri publikisht duke e qortuar Vistisen dhe duke sqaruar se një gjuhë e tillë nuk lejohet në institucionet demokratike europiane. Ai theksoi se përdorimi i fyerjeve përbën shkelje të rregullores dhe se do të ketë pasoja për mesazhin e përcjellë.
Deklarata e drejtuesit të seancës u prit me duartrokitje nga një pjesë e deputetëve, ndërsa ngjarja ka nxitur reagime të shumta në media dhe rrjete sociale, duke u kthyer në një tjetër episod që pasqyron tensionet në rritje mes Europës dhe administratës së Donald Tramp për çështjen e Groenlandës.
