
Deputetja demokrate Ina Zhupa akuzon mazhorancën se po zhvesh Vlorën dhe gjithë qarkun nga institucionet, duke i kthyer qytetet në fshatra dhe duke nxitur protesta të vazhdueshme qytetare
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ngriti në seancën plenare të sotme shqetësimin për vendimin e qeverisë për zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës, duke e cilësuar këtë hap si një goditje të radhës ndaj qytetit dhe institucioneve lokale.
Sipas Zhupës, Vlora është privuar ndër vite nga institucionet kryesore dhe tashmë po trajtohet si një zonë periferike, pavarësisht rolit dhe historisë së saj. Ajo theksoi se jo vetëm Vlora, por të gjitha qytetet e qarkut po përjetojnë të njëjtin fat, me shërbime publike të reduktuara dhe struktura shtetërore që po zhduken gradualisht.
Deputetja akuzoi mazhorancën se po vepron jashtë kornizës ligjore dhe sipas interesave të momentit, duke përmendur heqjen e gjykatave, dobësimin e portit dhe degradimin e spitaleve, të cilat sipas saj po shndërrohen thjesht në urgjenca minimale.
Në fjalën e saj, Zhupa deklaroi se Shqipëria nuk mund të konsiderohet më një vend demokratik, duke argumentuar se mjafton të shihen protestat e vazhdueshme të qytetarëve të Vlorës, të cilat prej muajit maj kanë qenë të përditshme si reagim ndaj vendimeve të qeverisë.
Ajo paralajmëroi gjithashtu për një reformë të re territoriale, që sipas saj është e përgatitur tashmë nga mazhoranca dhe synon të përdorë opozitën si fasadë demokratike, ndërsa në realitet po thellohet centralizimi dhe po rritet pakënaqësia qytetare.
