
Julian Meçaj dhe Plarent Dervishaj akuzojnë gjykatën për proces të padrejtë dhe kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes ku humbi jetën shoferi Andi Maloku dhe u plagos “Rrumi i Shijakut”.
Seanca e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që po shqyrton dosjen e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, është shoqëruar me tone të forta dhe tensione në sallë.
Të pandehurit Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj, të akuzuar për përfshirje në ngjarjen e ndodhur në nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit, ku u vra Andi Maloku dhe u plagosën Ndoj dhe Aleksandër Laho (“Rrumi”), kanë akuzuar gjykatën për një proces të padrejtë dhe për mungesë të qartësisë mbi shënjestrën reale të atentatit.
Në fjalën e tij, Dervishaj u shpreh:
“Ju kërkoni të dënoni, jo të gjykoni. Nuk është përcaktuar ende kush ishte shënjestra e vërtetë. Kam qenë në atë makinë dhe shpëtova vetëm falë Zotit, por Andi Maloku humbi jetën. Nuk kërkoj mëshirë, por drejtësi për atë që kemi bërë vetë, jo për të tjerët.”
Ndërsa Julian Meçaj theksoi se procesi po zhvillohet mbi baza të paqarta dhe se dëshmitarët nuk kanë asnjë lidhje me të:
“Të gjithë dëshmitarët që kanë ardhur nuk më njohin, as unë nuk i njoh ata. Nuk ka logjikë ky proces. Po shkelet çdo e drejtë për mbrojtje ligjore,” deklaroi ai.
Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj mbetet një ndër ngjarjet më të bujshme të viteve të fundit, me dyshime për prapaskena të lidhura me botën e krimit dhe konfliktet mes grupeve rivale. Procesi në GJKKO pritet të vazhdojë me dëshmitë e reja që mund të ndriçojnë autorët dhe motivet e sulmit.