
Kamerieri rrëfen momentet e fundit para përplasjes që la dy të rinj të vrarë në Durrës, ndërsa policia vazhdon kërkimet për 21-vjeçarin Daniel Pepa.
Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi ngjarjen e rëndë që tronditi Manzën e Durrësit, ku dy të rinj humbën jetën pas një konflikti banal për një kafe. Sipas burimeve nga policia, shtatë persona janë shoqëruar për të dhënë dëshmi, ndërsa 21-vjeçari Daniel Pepa mbetet në kërkim, si autori i dyshuar që qëlloi për vdekje njërin prej viktimave.
Dëshmia e kamarierit të lokalit, ku nisi konflikti, hedh dritë mbi mënyrën se si një debat i zakonshëm u kthye në tragjedi. Ai ka treguar se gjithçka ndodhi pak pas orës 01:00 të mëngjesit, kur Daniel Pepa dhe shoku i tij, Aranit Kurti, hynë në lokal dhe kërkuan kafe. “U thashë që ekspresi ishte fikur dhe duhej kohë të nxehej. Danieli insistoi dhe filloi të fliste me tone fyese. Në atë moment ndërhyri Flori (Paluçi) që ndodhej aty, për të më mbrojtur”, ka dëshmuar kamarieri.
Sipas tij, debati verbal u përshkallëzua me shpejtësi. “Flori i kërkoi të respektojë vendin dhe njerëzit, por tensioni u rrit. Doli jashtë me Aranitin dhe aty ndodhi e keqja. Flori qëlloi i pari dhe vrau Aranitin. Më pas Danieli u kthye në makinë, mori një armë dhe qëlloi drejt Florit,” – tregon dëshmitari.
Të dy të rinjtë humbën jetën në vend, ndërsa autori i dyshuar u largua menjëherë pas ngjarjes. Policia ka vendosur postblloqe në disa zona të qarkut Durrës dhe ka përfshirë forca speciale në operacionin për kapjen e tij.
Ngjarja, e nisur për një arsye të parëndësishme, ka tronditur komunitetin lokal dhe ka hapur debat mbi përhapjen e armëve dhe reagimin e dhunshëm në situata të zakonshme të jetës së përditshme.