
Pas 14 ditësh protestash dhe një takimi pa rezultat me Ministrinë e Ekonomisë, minatorët e Mirditës vazhdojnë bojkotin dhe kërkojnë rikthimin në punë të kolegëve të pushuar.
Kriza në minierën e bakrit në Spaç po thellohet, pasi edhe pas ndërmjetësimit të djeshëm të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, palët nuk arritën marrëveshje. Punëtorët deklaruan sot se do të vijojnë protestën dhe bojkotin e punës deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Prej më shumë se dy javësh, rreth 70 minatorë kanë bllokuar aktivitetin në minierë, duke kërkuar rritje page, kushte më të sigurta pune dhe rikthimin e 17 kolegëve të pushuar së fundmi. Sipas tyre, largimet janë bërë për arsye sindikale, pasi të prekurit ishin pjesë e grupit që kërkonte negocimin e kontratës kolektive.
Takimi i zhvilluar dje mes përfaqësuesve të punëtorëve dhe kompanisë “TETE Albania”, me ndërmjetësimin e qeverisë, përfundoi pa rezultat. Kompania refuzoi të pranojë rikthimin e të larguarve, duke argumentuar se vendimet janë të bazuara në “rregulla të brendshme dhe kritere ligjore”.
Minatorët kanë paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh brenda pak ditësh, protesta do të përshkallëzohet dhe do të përfshijë mbështetjen e sindikatave të tjera nga zonat minerare të vendit.