Emisioni “Në Shënjestër” në News24 me autore Klodiana Lalën, zbuloi detaje të reja nga hetimet për vrasjen e Renis Dobrës nga Zenishti i Matit më 8 korrik të këtij viti. Në dokumentarin e publikuar këtë të martë, tregohet se si familjarët e Renisit zbuluan së pari shapkën e djalit të tyre e më pas trupin e tij buzë Liqenit të Shkopetit.
Renis Dobra, nga fshati Zenisht i Matit, mbrëmjen e datës 8 Korrik 2025 ndërsa po kthehej në banesën e tij në drejtimin e automjetit ‘Mercedes Benz’ në pronësi të babait të tij, ishte ndaluar në rrugë dhe më pas, ishte gjetur i pajetë në fundin e një rrëpire në bregun e liqenit të Shkopetit, i mbytur me litar, ndërsa automjeti kishte përfunduar në thellësi të ujrave të liqenit.
Në dosjen hetimore thuhet se në datën 8 Korrik 2025, rreth orës 23.30 në komisariatin e policisë Mat, është paraqitur me vullnetin e tij, shtetasi Rufat Dobra. Ai shprehu shqetësimin se djali i tij Renis Dobra nuk është paraqitur në banesë.
Ai tha se djali i tij ishte larguar nga banesa rreth orës 17.00, për të bërë një shëtitje në qytetin e Burrelit, me automjetin ‘Mercedes Benz’ ngjyrë ulliri me targa AA 249 ST. Automjet që Rufat Dobra thotë se është në pronësi të tij. Rreth orës 21:30, ai deklaron se i biri i ka shkruar një sms ku i bënte me dije se po shkonte në banesë.
Por ndërsa priste që i biri të kthehej në banesë, Rufat Dobra deklaroi në polici, se ai kishte marrë gati 40 minuta më pas një telefonatë nga nipi i tij. Që i bënte me dije se në rrugë, në vendin e quajtur ‘Kroi i Suçit’, në fshatin Zenisht, ai kishte parë të ndaluar makinën e tij. Dhe se përballë kësaj makine kishte parë të ndaluar një tjetër automjet tip fuoristradë, me drita të ndezura.
Por që për shkak të dritave të forta nuk kishte mundur të shquante se kush ishte. Sipas asaj që i kishte thënë nipi i tij, ky i fundit kishte ndaluar shpejtësinë për të përshëndetur, me mendimin se drejtimin e makinës e kishte daja i tij. Por një nga personat të cilët ndodheshin jashtë makinës, i kishte bërë me shenjë që të largohej menjëherë nga aty.
“Rreth orës 22.10 të mbrëmjes së datës 8 Korrik 2025, ndërsa po udhëtoja me automjetin tim në vendin e quajtur ‘Kroi i Suçit’, në fshatin Zenisht, Njësia Administrative Lis, Bashkia Mat, unë konstatova gjatë rrugës automjetin e dajës tim, shtetasit Rufat Dobra, me targë AA 349 ST, që ishte i ndaluar, me drejtim lëvizje për nga fshati Lis dhe përballë këtij mjeti kishte ndaluar një automjet tip fuoristradë me drita të ndezura të forta, të cilat më penguan shikimin.
Në këtë moment unë ula shpejtësinë për të përshëndetur dajën tim, duke menduar se ishte ai në makinë. Dhe për ta pyetur se përse kishte ndaluar. Por aty mes dy makinave të ndaluara, pashë një person, i cili më urdhëroi me ton të lartë që të mos ndaloja dhe unë kështu vazhdova rrugën, duke menduar se mund të ishin punonjës policie”, tregon kushëriri i Renisit.
Më pas ai vazhdon se menjëherë pasi u largova disi mora në telefon dajën tim, Rufat Dobra, i cili më tha se është në shtëpi. Pasi mësova që makinën e kishte Renisi, daja im më tha që të shkoja në banesën e tij për ta marrë me makinë. Dhe të niseshim për në komisariatin e Matit, me mendimin se Renisin mund ta kishte marrë policia.
Por para se të shkonin në komisariatin e Matit, për të parë se çfarë kishte ndodhur me të afërmin e tyre, me mendimin gjithmonë se e kishte marrë policia, dajë dhe nip ndaluan fillmisht në vendin ku ky i fundit kishte parë të ndaluar makinën ‘Mercedes Benz’ që këtë mbrëmje e drejtonte Renisi.
Por makinat, siç tha kushëriri i Renisit në dëshminë e tij dhënë më pas në polici, nuk ishin ne vendin ku i kishte konstatuar më herët. Renisi që nuk u gjend as në rajonin e policisë. Mungesë që krijoi bindjen te familja se diçka e keqe i kishte ndodhur djalit të tyre
Ashtu siç për fat të keq u konstatua edhe në orët në vazhdim, ku gjatë krehjes në këmbë që familjarët i bënë rrugës Burrel-Milot që kalon në Liqenin e Shkopetit, pas vetëm disa orësh ata gjetën fillimisht një shapkë që i përkiste Renisit. Më pas gjurmë frenimi të forta të një makine dhe në breg të liqenit vetë trupin e pajetë të 23 vjeçarit.
“Më datë 9 Korrik 2025, rreth orës 06:20, në vendin e quajtur ‘Qafa e Ulzës’, pa shkuar tek ura e Ulzës, u gjet një shapkë e cila ishte e shtetasit Renis Dobra, kjo e konfirmuar nga familjarët e vetë viktimës”, thuhet në dosjen hetimore.
Në aksin rrugor ‘Ura e Ulzës-Tuneli i Shkopetit’, në anën e majtë të rrugës së asfaltuar, po kështu u konstatua dalja nga rruga e një automjeti, që kishte vazhduar tatëpjetën në drejtim të liqenit të Ulzës, ku u vunë re pjesë automjeti dhe rreth 10 m pa mbërritur në sipërfaqen e liqenit u gjet kufoma e shtetasit Renis Dobra, i cili ishte i dëmtuar me pjesën më të madhe të trupit dhe në pjesën e fytit, ku u vu re një brazdë strangulimi e mavijosur.
Viktima që rezultoi se ishte i veshur me pantallona xhins të shkurtra dhe këmishë me ngjyrë të bardhë me mëngë të shkurtra. Ku gjatë verifikimit të parë nuk u vunë re dëmtime me armë zjarri. Ndërsa, automjeti ‘Mercedes Benz’, me ngjyrë ulliri, u pa të kishte përfunduar në thellësinë e liqenit.
Kufoma e Renis Dobrës e cila me t’u nxjerrë nga bregu i liqenit, u dërgua pranë lnstitutit të Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim për të kryer kqyrjen e imtësishme dhe autopsinë.
Ku nga ana e ekspertëve mjeko-ligjorë u arrit të provohet se shkaku i vdekjes kishte qenë asfiksia, pasi i ishin dëmtuar gjendrat tiroide, si pasojë e shtrëngimit në pjesën e fytit. Do të ishte pikërisht ky zbulim tronditës që do të vinte në lëvizje edhe policinë e Matit. Si edhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë së rrethit Dibër./
