
Dyshohet se autorët kishin informacion të saktë për lëvizjet e tij; ende nuk dihet kush ka sinjalizuar itinerarin.
Dalja në dritë e të dhënave të reja lidhur me atentatin pranë rrethrrotullimit të Rinasit ka shtuar dyshimet se ngjarja është organizuar me përgatitje të hollësishme. Gilmando Dani, i njohur si i afërt me Emiljano Shullazin, ishte kthyer vetëm pak minuta më parë nga Barcelona dhe po udhëtonte në një automjet të blinduar së bashku me Muçi Shaljanin, i cili u plagos rëndë.
Sipas burimeve, autorët kanë qenë të informuar për kohën dhe itinerarin e lëvizjes, duke e pritur makinën në pikën e daljes nga aeroporti. Pasi automjeti ka hyrë në qarkullim, ndaj tij është hapur zjarr me breshëri, duke lënë Danin të vdekur në vend.
Ende nuk dihet se kush ka dhënë informacionin për lëvizjet e tij, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të përfshirë po zhvillohen në disa zona, përfshirë Tiranën, Fushë-Krujën dhe Krujën. Në Halil është gjetur një automjet i djegur që dyshohet se është përdorur nga autorët për largim pas sulmit.
Hetimet vazhdojnë.
