
Gjyqi i mëparshëm për dhunë në familje dhe kërcënimet ndaj familjarëve rezultojnë të kenë paraprirë ngjarjen tragjike ku u ekzekutuan dy vëllezërit e gruas.
Para se të kryente vrasjen e dyfishtë në Malishevë, Astrit Isufi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij. Mediat në Prishtinë raportojnë se ndaj tij ishte marrë një vendim ndëshkues nga Gjykata Themelore e Prishtinës për dhunë në familje dhe kanosje.
Sipas dosjes gjyqësore, në mars të këtij viti, Isufi kishte sulmuar fizikisht gruan e tij në ditën e Bajramit. Pasi kishte filluar një konflikt në mëngjes, situata ishte përshkallëzuar në disa episode dhune brenda të njëjtës ditë. Dokumentet tregojnë se e shoqja është qëlluar disa herë dhe është frikësuar se dhuna mund të përsëritej.
Në dosje përfshihet edhe një moment kur vajza e tyre e mitur ka ndërhyrë për të ndërprerë dhunën. Pas incidentit, sipas aktit të hetimit, Isufi e kishte larguar bashkëshorten nga banesa dhe më pas e kishte kërcënuar se nëse ajo largohej përfundimisht nga lidhja, do të godiste edhe familjarët e saj.
“Ti nuk guxon të ndahesh prej meje, sepse do të pësojë gjithë familja,” thuhet në deklarimin e bashkëshortes në kallëzim, që ka sjellë pasoja të forta emocionale dhe frikë për sigurinë personale.
Ngjarja mori kulm tragjik kur Astrit Isufi vrau dy vëllezërit e bashkëshortes në oborrin e shtëpisë së tyre. Pas vrasjes, ai u arratis për disa orë, por u arrestua nga Policia e Kosovës mëngjesin e sotëm.
Autoritetet kanë bërë të ditur se ndaj tij do të kërkohet masa e paraburgimit dhe hetimet pritet të zbulojnë rrethanat e plota të krimit.
