
Hetimi zbulon se automjeti i autorëve lidhej drejtpërdrejt me biznesmenin e ekzekutuar, duke ngritur dyshime të reja mbi pistat e krimit
Detaje të reja kanë dalë në pah lidhur me ekzekutimin e biznesmenit Edmond (Mondi) Mëhalla në Elbasan. Sipas burimeve hetimore, automjeti i përdorur nga autorët e dyshuar të atentatit rezulton të jetë në pronësi të kompanisë së vetë viktimës, një fakt që ka shtyrë hetuesit të rishikojnë pistat kryesore të ngjarjes.
Mëhalla u qëllua për vdekje mbrëmjen e kaluar, teksa ndodhej brenda makinës së tij. Të dhënat e para flasin për një sulm të organizuar dhe të studiuar, ndërsa autorët kanë përdorur një mjet tjetër për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Pikërisht ky mjet, i identifikuar më pas nga policia, rezulton të jetë regjistruar në emër të kompanisë së biznesmenit.
Ky zhvillim ka ngritur dyshime mbi mundësinë që autorët të kenë pasur akses të brendshëm në kompaninë e Mëhallasë, ose që mjeti të jetë përdorur më parë nga persona të afërt me rrethin e tij.
Burime nga grupi hetimor thonë se po analizohen lëvizjet e automjetit ditët para ngjarjes, si dhe po verifikohen të gjitha personat që e kanë përdorur apo kanë pasur qasje në të. Policia po këqyr edhe kamerat e sigurisë në zonë për të identifikuar itinerarin e atentatorëve.
Hetimet vijojnë, ndërsa autorët mbeten ende të larguar. Të tjera detaje pritet të dalin në orët në vijim.
