
Prania e lartë e ujit në hyrje të Durrësit vështirëson trafikun, përcaktohen rrugë alternative për lëvizje
Ministria e Brendshme përmes MIA u ka bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin qarkullimin në aksin Tiranë–Durrës, për shkak të reshjeve të dendura të shiut që kanë krijuar probleme serioze në qarkullim.
Sipas njoftimit zyrtar, në hyrje të Durrësit është konstatuar prani e lartë uji në karrexhatë, çka e ka bërë lëvizjen e automjeteve të vështirë dhe potencialisht të rrezikshme. Për këtë arsye, Policia Rrugore ka vendosur devijimin e përkohshëm të trafikut, me qëllim shmangien e bllokimeve dhe aksidenteve.
Për automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, sugjerohet përdorimi i Rrugës së Plepave përmes Ndroqit, si edhe aksit Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë. Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt Durrësit duhet të përdorin rrugën e universitetit në zonën e Spitallës ose aksin Elbasan–Rrogozhinë.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të policisë, të cilët ndodhen në terren për menaxhimin e situatës. Strukturat e emergjencave vijojnë monitorimin, ndërsa situata mbetet e lidhur ngushtë me vijimin e reshjeve në orët në vijim.
