Operacioni policor i koduar “Cross Border” zbulon tentativën për trafikim të drogës drejt Greqisë. Në pranga 46-vjeçari nga Korça, ndërsa vijon kërkimi për një 37-vjeçar bashkëpunëtor.
Policia e Korçës ka arrestuar një 46-vjeçar, i cili tentonte të trafikonte një sasi prej 16 kilogramësh kanabis drejt Greqisë. Arrestimi është bërë në fshatin Vishocicë të Devollit, gjatë operacionit të koduar “Cross Border”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Devoll.
I ndaluari, Julian Belortaja, po udhëtonte me automjetin e tij, ku në bagazhin e makinës u gjet një çantë sportive që përmbante 15 pako të mbështjella me natriban, me peshë totale 16 kilogramë lëndë narkotike kanabis. Policia njoftoi se 46-vjeçari po e transportonte lëndën për ta kaluar në territorin grek në bashkëpunim me një tjetër person, D. M., 37 vjeç, i cili aktualisht është shpallur në kërkim.
Gjatë operacionit u sekuestruan lënda narkotike, automjeti me të cilin kryhej transporti dhe një telefon celular. Nga hetimet paraprake dyshohet se trafikimi ishte pjesë e një rrjeti të organizuar që operonte në zonën juglindore të vendit.
Materialet hetimore i janë kaluar Prokurorisë së Korçës për vijimin e procedurave dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
