Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në shtetin jugor Andhra Pradesh, ku një autobus me 44 pasagjerë u përfshi nga flakët pas një aksidenti rrugor, duke shkaktuar të paktën 25 viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Një aksident i tmerrshëm ndodhi të premten herët në mëngjes në Indinë jugore, kur një motor u përplas me një autobus pasagjerësh, duke shkaktuar shpërthimin e menjëhershëm të automjetit dhe një zjarr masiv që u përhap brenda pak minutash.
Sipas autoriteteve të policisë në rajonin e Kurnool, shteti i Andhra Pradesh, autobusi po udhëtonte nga qyteti Hyderabad drejt Bengalurut dhe në bord ndodheshin 44 pasagjerë, shumica e të cilëve flinin në momentin e përplasjes.
Zjarri shpërtheu pas përplasjes me motorin që mbeti i bllokuar në pjesën e pasme të autobusit, duke shkaktuar shkëndija që ndezën depozitën e karburantit. “Drejtuesi u përpoq të shuante zjarrin me një bombol, por flakët ishin shumë të forta,” – deklaroi zyrtari i policisë, Vikrant Patil.

Pamjet nga vendngjarja treguan mbetjet e djegura të autobusit në autostradën e fshatit Chinnatekuru, rreth 130 milje në jug të Hyderabadit. Disa pasagjerë arritën të thyjnë dritaret dhe të hidhen jashtë me plagë të lehta, ndërsa pjesa tjetër u përfshi nga flakët përpara se të mbërrinte ndihma.
Autoritetet konfirmuan se 15 persona janë shpëtuar dhe ndodhen në spital, ndërsa shoferi i motorit humbi jetën në vend. Një ekip ekspertësh të forenzikës po heton shkaqet e sakta të ngjarjes.
Kryeministri indian Narendra Modi dhe kreu i qeverisë së Andhra Pradesh, N. Chandrababu Naidu, kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjet e viktimave.
Kjo është tragjedia e dytë e ngjashme në Indi brenda më pak se dy javësh. Më herët, një zjarr i shkaktuar nga qark i shkurtër në një autobus pasagjerësh në Rajasthan mori jetën e të paktën 20 personave, duke vënë sërish në pikëpyetje sigurinë e transportit publik në vend.
