
Konflikti shpërthen pas mosmarrëveshjeve për protokollin mjekësor, policia ndërhyn me arrestim në flagrancë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 në Tiranë kanë arrestuar në flagrancë mjekun Julian Habibaj, 53 vjeç, i dyshuar për ushtrim dhune ndaj kryeinfermieres së spitalit ku të dy ushtronin detyrën.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti verbal lidhur me zbatimin dhe zbardhjen e protokollit mjekësor. Kryeinfermierja ka kundërshtuar veprimet e mjekut, çka ka sjellë përshkallëzimin e situatës dhe reagimin fizik nga ana e tij.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se mjeku ishte i njohur më parë për probleme disiplinore, duke pasur rreth 11 masa të marra nga institucioni shëndetësor, të cilat ai i kishte anuluar përmes gjykatës. Konflikti i fundit ka ndodhur në ambientet e maternitetit, ku dyshohet se marrëdhëniet profesionale mes tyre ishin të tensionuara prej kohësh.
Pas kallëzimit të bërë nga kryeinfermierja, shërbimet e Komisariatit Nr. 3 kanë ndërhyrë menjëherë, duke bërë arrestimin e mjekut. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
