
Ekipi i reperit thotë se raportimet janë të pavërteta dhe se ai po përqendrohet tek rehabilitimi dhe rikthimi tek familja.
Sean “Diddy” Combs ka reaguar pas raportimeve se ai ishte kapur duke konsumuar pije alkoolike brenda burgut federal ku po vuan dënimin. Përmes një deklarate të publikuar në rrjetin e tij zyrtar X, ekipi i tij i komunikimit bëri të ditur se lajmet janë të pavërteta dhe të fryra.
Në disa media u raportua se Diddy kishte përgatitur një lloj pijeje të improvizuar nga sheqeri, Fanta dhe mollët, dhe për këtë arsye kishte hyrë në konflikt me administratën e burgut në Fort Dix, New Jersey. Por përfaqësues të burgut bënë të ditur se nuk ka asnjë informacion dhe asnjë provë që të mbështesë këtë pretendim.
Zëdhënësi i Combs gjithashtu u shpreh se reperi po përpiqet të përshtatet me jetën në burg dhe po punon për të ndryshuar veten. Ai shtoi se për shkak të profilit të lartë publik, gjatë kohës së tij në institucion do të qarkullojnë shumë thashetheme dhe lajme të pavërteta.
Para se të dënohej, Combs kishte deklaruar në gjykatë se ishte i pastër dhe esëll për herë të parë pas 25 vitesh dhe se po punonte fort për të ndryshuar jetën e tij. Ai është dënuar me katër vjet e dy muaj burg dhe pritet të lirohet në maj të vitit 2028.
