
Sipas ekspertes Nichole Andrews, alkooli dhe mishi i përpunuar janë faktorët më të rrezikshëm, ndërsa sheqeri nuk shkakton drejtpërdrejt kancer.
Një dietologe e specializuar në ushqyerjen e pacientëve me kancer ka bërë publik një qëndrim që ka hapur diskutime të gjera në rrjetet sociale. Nichole Andrews, dietologe onkologjike që ka punuar me mijëra pacientë, thotë se vetëm dy ushqime të konsumueshme rrisin realisht rrezikun e zhvillimit të kancerit: alkooli dhe mishi i përpunuar.
Ajo sqaron se alkooli i çdo forme, përfshirë verën e kuqe, konsiderohet kancerogjen dhe lidhet me rritjen e rrezikut për kancer të gjirit, mëlçisë, zorrës së trashë, gojës dhe fytit. Sipas saj, çdo ulje e konsumimit të alkoolit sjell ulje të menjëhershme të rrezikut, ndërsa shmangia totale mbetet opsioni më i sigurt.
Përsa i përket mishit të përpunuar, Andrews rendit këtu sallamin, salçiçet, hot dog, bacon dhe produktet e parapërpunuara të mishit që ruhen gjatë në frigorifer ose shiten të gatshme. Këto produkte, sipas studimeve ndërkombëtare, lidhen me rrezik të rritur të kancerit të zorrës së trashë për shkak të kimikateve që përdoren në përpunimin e tyre.
Ndërkohë, ajo hedh poshtë idenë e përhapur se sheqeri shkakton kancer. Sipas dietologes, sheqeri vetë nuk ushqen qelizat kancerogjene dhe nuk shkakton rritje të tyre. Problemi shfaqet kur konsumimi i lartë i sheqerit çon në rritje peshe dhe shtim të yndyrës trupore, e cila është e lidhur me inflamacion dhe rritje të rrezikut për disa lloje kanceri.
Ekspertja këshillon ngrënie të balancuar, aktivitet fizik të rregullt dhe krijimin e masës muskulore si mënyrat më të mira për të reduktuar rrezikun. Një copë ëmbëlsirë apo pije e ëmbël herë pas here, sipas saj, nuk përbën asnjë rrezik real për shëndetin.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si alkooli ashtu edhe mishi i përpunuar klasifikohen si kancerogjenë të grupit 1, të njëjtës kategori me duhanin, megjithëse jo të njëjtit nivel rreziku. Kjo do të thotë se ekzistojnë prova të qarta shkencore për ndikimin e tyre në zhvillimin e kancerit.
Ndërsa mitet vazhdojnë të qarkullojnë në rrjete sociale, mesazhi i dietologes është i thjeshtë: më pak panik, më shumë informacion i saktë dhe zgjedhje të ndërgjegjshme ushqimore.
