
Fituesi i reality show “Ferma VIP”, Dijonis Biba, është kthyer në qendër të vëmendjes pas fitores historike të Kombëtares Shqiptare ndaj Serbisë, por këtë herë jo për arsye televizive, por për një bast të guximshëm që i solli fitime marramendëse.
Mbrëmjen e ndeshjes Serbi–Shqipëri, Dijonis publikoi në Instagram një skedinë ku kishte vendosur 10 mijë euro për fitoren e kuqezinjve. Me rezultatin final 0–1 në favor të Shqipërisë, basti i tij u kthye në një fitore spektakolare prej 55,500 eurosh.
Në një postim ironik ai kishte shkruar: “Kush e ka fut ket bilet more?”, por pas fitores, rrjetet shpërthyen me reagime, duke e cilësuar si njeriun më me fat të javës.
Fitorja e Kombëtares shqiptare në Leskovac, e cila siguroi tre pikë të arta dhe vendin e dytë në grup, rezultoi fat i dyfishtë për Bibën, emocion kombëtar dhe fitim personal.
Në rrjete sociale, fansat e tij e kanë uruar me komente plot humor, duke e quajtur tifozin më të paguar të Shqipërisë.