
Ish-koloneli Dilaver Goxhaj, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka ndarë një nga momentet më të vështira, por edhe më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai foli me emocion për betejën 12-ditore, që u zhvillua nga 20 marsi deri më 2 prill, në malet e Berishës, ku forcat shqiptare u përballën me një ofensivë të fuqishme serbe.“U mblodhëm në malin e Berishës dhe ishim rreth 20 mijë luftëtarë. Na rrethuan 15 mijë forca serbe, me tanke dhe autoblinda. Vendosëm të çanim rrethimin. Ishte një vendim i vështirë, por i domosdoshëm,” tregoi Goxhaj.
Ai përshkroi me detaje momentin kur strategjia shqiptare e befasoi armikun dhe u arrit të thyhej rrethimi serb.
“Pika e dobët e serbëve është se nuk dinë të rrethojnë. Dinë të vrasin e të shkatërrojnë çfarë u del përpara, por ne e dinim këtë dobësi të tyre. Ishte mesnatë, na ndihmoi Perëndia, një shi i jashtëzakonshëm, vetëtima dhe bubullima pa pushim. Ata menduan se po tërhiqeshim dhe se do të luftonim në mbrojtje.”
Në atë moment vendimtar, UÇK ndërmori një veprim të guximshëm që i ndryshoi krejtësisht rrjedhën përballjes: “Ne hodhëm 2 mijë forca në shpinë të tyre. Kanë ndjerë zjarrin e automatikëve dhe ata u habitën, u çmendën – nuk e kuptuan nga u dolëm. Kështu u ça rrethimi. Ai ka qenë momenti më i jashtëzakonshëm për ne.”