Në këtë realitet, fjalët e poetit të madh Din Mehmeti tingëllojnë më të forta se kurrë: “Ka me ardhë koha që njerëzit do të vihen në radhë për me u poshtëru.” Po ajo kohë ka ardhur. Sot njerëzit nuk poshtërohen më nga rrethanat, por e kërkojnë vetë poshtërimin, si rrugë sigurie, si strategji karriere, si mënyrë për të mbijetuar në një sistem ku dinjiteti është bërë pengesë dhe jo virtyt.
Emërimi i ish-kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, si ambasador i Shqipërisë në Zvicër, është bërë simbol i një realiteti të trishtë: ai i njerëzve që, për një post më të lartë, pranojnë të fshijnë çdo ndjenjë dinjiteti dhe të kthehen në vegla të bindura të pushtetit. Ky emërim tregon se në politikën shqiptare karriera ndërtohet jo mbi vlera e integritet, por mbi heshtje, frikë dhe nënshtrim ndaj pushtetit.
Pas dorëheqjes së tij të papritur në shtator, Dredha u rikthye në skenën publike me një promovim që shumë e kanë lexuar si shpërblim për heshtjen. Një lëvizje që dëshmon qartë se në Shqipëri, poshtërimi nuk të ndëshkon, por të ngre në detyrë.
Prej muajsh, raportet mes Dredhës dhe kryeministrit Edi Rama kanë qenë të tensionuara. Burime të shumta brenda PS kanë pohuar se Rama e ka poshtëruar publikisht Dredhën në disa mbledhje, duke e quajtur “i papërshtatshëm”, “pa karakter” dhe “njeri që nuk mban peshë politike”.
Zëra të pakonfirmuar, por të përsëritur, flasin madje për kërcënime të drejtpërdrejta, që kanë shkuar deri në nivel personal. I gjendur përballë këtij presioni, Dredha zgjodhi heshtjen dhe dorëheqjen, një akt që u interpretua gjerësisht si kapitullim nga frika, jo si vendim i një burri me integritet.
Por pranimi i postit të ambasadorit në Zvicër e ktheu dorëheqjen e tij në shembull të servilizmit politik. Ai nuk u largua për dinjitet, u shpërblye për nënshtrim.
Në vend që të sqaronte publikisht arsyet e dorëheqjes, Dredha pranoi promovimin diplomatik si garanci personale. Ky veprim e vendosi atë përfundimisht në radhën e gjatë të atyre që shesin heshtjen për një privilegj dhe nënshtrimin për një karrige.
Në rrjete sociale, emërimi i tij është komentuar si “akt turpi”, “arratisje diplomatike” dhe “tradhti ndaj qytetit që e zgjodhi”.
Në këtë realitet, fjalët e poetit të madh Din Mehmeti tingëllojnë më të forta se kurrë:
“Ka me ardhë koha që njerëzit do të vihen në radhë për me u poshtëru.”
Dhe ajo kohë ka ardhur. Sot njerëzit nuk poshtërohen më nga rrethanat, por e kërkojnë vetë poshtërimin, si rrugë sigurie, si strategji karriere, si mënyrë për të mbijetuar në një sistem ku dinjiteti është bërë pengesë dhe jo virtyt.
Rasti i Dredhës nuk është përjashtim, është simptomë e një sëmundjeje politike që ka kapur rrënjët e shtetit: pushteti nuk kërkon njerëz me mendim, por njerëz që përkulen.
Ai që hesht, ngjitet. Ai që dorëzohet, shpërblehet. Ai që ruan dinjitetin, përjashtohet.
Ermal Dredha, dikur përfaqësues i brezit të ri në PS, u kthye në shembullin më të qartë të një brezi të humbur, brezit që ka mësuar të mbijetojë duke u poshtëruar.
Në fund, historia e tij është prova e gjallë se Din Mehmeti kishte parashikuar saktë: në këtë vend, radhët më të gjata nuk janë për dinjitetin, por për poshtërimin.
