
Ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se rënia e vaksinimit dhe përhapja e sëmundjeve zoonotike po e lë botën të papërgatitur për një krizë të re shëndetësore
Ekspertët e shëndetit publik kanë identifikuar katër viruse që mund të ndezin pandeminë e radhës globale, ndërsa normat e vaksinimit po bien në shumë vende të botës. Sipas specialistëve të sëmundjeve infektive, Mpox, rubeola, gripi i shpendëve dhe virusi Oropouche mund të evoluojnë në të ashtuquajturën “Disease X”, një patogjen ende i panjohur që mund të shkaktojë një pandemi të re në vitin 2026.
Mjekët paralajmërojnë se bota, është praktikisht e papërgatitur për t’u përballur me një shpërthim tjetër të përmasave të ngjashme me Covid-19.
Sipas Dr Michael Head, studiues i shëndetit global në Universitetin e Southamptonit, shpërthimet e Mpox vazhdojnë në shumë vende të botës, përfshirë edhe Evropën, si rasti i Spanjës. Ai thekson se po shfaqen variante të reja të virusit dhe se tashmë është e qartë që Mpox, dikur shumë i rrallë, është kthyer në një sëmundje të përhershme globale. Virusi, i njohur më parë si “monkeypox”, ka qarkulluar për dekada në disa zona të Afrikës, por që nga maji i vitit 2022 është përhapur në mbi 100 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, Kanadanë, Australinë dhe pjesën më të madhe të Evropës. Në fund të vitit 2025, në Angli u identifikua edhe një variant i ri mutant.
Një tjetër shqetësim serioz është rikthimi i mundshëm i rubeolës, e cila konsiderohej pothuajse e zhdukur. Rënia e ndjeshme e vaksinimit me MMR, që mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola, ka arritur nivelin më të ulët në 15 vitet e fundit. Edhe pse rubeola zakonisht është e lehtë tek fëmijët, infektimi gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë abort, lindje të vdekur ose defekte të rënda të lindjes, si shurdhim, probleme kardiake dhe dëmtime intelektuale. Rënia e vaksinimit ka sjellë tashmë rritje alarmante të rasteve të fruthit në Mbretërinë e Bashkuar, duke shënuar shifrat më të larta që nga viti 2012.
Ndërkohë, gripi i shpendëve vazhdon të mbetet një kërcënim potencial pandemik. Një variant veçanërisht agresiv, H5N1, ka shkaktuar që nga viti 2020 vdekje masive te shpendët e egër dhe shpendët e fermave. Ky virus ka pësuar mutacione që i kanë mundësuar të përhapet edhe te gjitarët, përfshirë lopët, duke u gjetur madje edhe në qumësht. Profesor Ed Hutchinson nga Universiteti i Glasgow paralajmëron se virusi mund të përzihet me gripin sezonal dhe të shndërrohet në një formë që përhapet lehtësisht mes njerëzve, duke e bërë një pandemi gripi një sfidë madhore globale.
Së fundi, virusi Oropouche, i njohur ndryshe si “ethe e përtacit”, është shfaqur si një rrezik në rritje. Mbretëria e Bashkuar raportoi rastet e para vitin e kaluar, pas një rritjeje të ndjeshme të infeksioneve në Evropë. Virusi transmetohet nga pickimi i insekteve të infektuara dhe shkakton simptoma të ngjashme me dengun dhe Zikën, përfshirë dhimbje muskujsh, dhimbje sysh, skuqje të lëkurës, ndjeshmëri ndaj dritës dhe të vjella. Sipas ekspertëve, përhapja e insekteve bartëse në Amerikën Veriore dhe Jugore mund të zgjerojë edhe më tej shtrirjen e virusit.
Ekspertët theksojnë se parashikimi i pandemisë së radhës është i vështirë, por përqendrimi te viruset që tashmë dihet se kalojnë nga kafshët te njerëzit është thelbësor. Pa rritje të vaksinimit dhe pa investime serioze në parandalim, “Disease X” mund të mos jetë më një skenar teorik, por një realitet i afërt.
