Cristiano Ronaldo Jr., vetëm 15 vjeç, ka blerë një Lamborghini Urus S luksoz, por do të duhet të presë deri në moshën madhore për ta ngasur ligjërisht në Arabinë Saudite.
Djali i yllit portugez Cristiano Ronaldo, 15-vjeçari Cristiano Ronaldo Jr., ka vendosur t’i bëjë vetes një dhuratë luksoze që ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore: një Lamborghini Urus S me vlerë rreth 265 mijë euro.
Supermakina sportive, e njohur për fuqinë dhe elegancën e saj, arrin shpejtësinë nga 0 në 100 kilometra në orë për vetëm 3.5 sekonda dhe mund të kapë deri në 305 km/orë. Megjithatë, adoleshenti nuk do të mund ta drejtojë ende, pasi ligjet në Arabinë Saudite lejojnë drejtimin e automjeteve vetëm pas moshës 18 vjeç.
Ronaldo Jr., që po ndjek hapat e të atit në futboll dhe aktualisht stërvitet në akademinë e Al-Nassr, duket se po shijon jetën mes luksit dhe sportit, njësoj si babai i tij, i cili njihet për koleksionin e jashtëzakonshëm të makinave sportive.
Kjo blerje e re e djalit të futbollistit portugez është komentuar gjerësisht në rrjetet sociale, ku fansat e Ronaldos kanë reaguar mes habisë dhe entuziazmit për pasionin e hershëm të tij ndaj makinave luksoze.
