
Pas deklaratës të Gjovalin Shkambit, xhaxhait të Elvis Shkambit, i cili vrau gjyqtarin Astrit Kalaja, se “ai gjyqtar që dënon nipin e tij do të vritet”, familja ka dalë me një kërkesë publike duke kërkuar falje, e duke u distancuar nga fjalët e thëna dhe duke sqaruar se ato erdhën në një moment gjaknxehtësie dhe tronditjeje të thellë emocionale.
“Kërkojmë ndjesë për fjalët e thëna”
Në një deklaratë publike, familja e Gjovalin Shkambit thekson se fjalët janë thënë në një moment gjaknxehtësie.
“Kërkojmë publikisht ndjesë për fjalët e thëna prej familjarit tonë, të cilat, siç ka pranuar edhe vetë, janë shprehur në një moment gjaknxehtësie dhe tronditjeje të madhe”.
Familja Shkambi shton se pavarësisht rrethanave, kërcënimet nuk justifikohen në asnjë formë.“Jemi plotësisht të vetëdijshëm se kërcënimet nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë, por kërkojmë mirëkuptim për gjendjen e rënduar emocionale dhe psikologjike në të cilën ndodhej babai ynë në ato momente”.Familja Shkambi ka shprehur ndjesë dhe ngushëllime për ndarjen nga jeta të gjyqtarit Kalaja.“E nisim këtë mesazh duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta ndaj familjes së gjyqtarit të ndjerë”.
Në reagimin e tyre, familjarët nënvizojnë se nuk kanë asnjë qëllim të pengojnë drejtësinë apo të përçojnë mesazhe urrejtjeje.“Ne nuk duam në asnjë mënyrë të përdorim gjuhë urrejtjeje ndaj personave që ushtrojnë detyrën e tyre dhe respektojmë proceset ligjore që po zhvillohen”.
Familja Shkambi kërkon mirëkuptim nga mediat, duke u bërë thirrje që të tregojnë ndjeshmëri ndaj situatës së rënduar familjare.“Kërkojmë me mirëkuptim që mediat të shmangin sa më shumë përfshirjen në jetën tonë familjare, pasi babai ynë është marrë në pyetje dhe është shfaqur në momente jashtëzakonisht të vështira dhe në gjendje të rënduar psikologjike”.Deklarata e familjes mbyllet, duke u shprehur se shpresojnë që drejtësia të fitojë.“Urojmë që drejtësia dhe qetësia të mbizotërojnë, dhe Zoti të bëjë atë që është më e mira për të gjithë!”