
Dokumente të reja tregojnë se Andrew i dërgoi urime Epstein vetëm një ditë pas lirimit nga arresti shtëpiak, duke rihapur pikëpyetjet mbi marrëdhënien e tyre
Dokumente të reja të publikuara nga autoritetet amerikane kanë nxjerrë në pah një shkëmbim emails mes Prince Andrew dhe financierit të diskredituar Jeffrey Epstein, të dërguara në vitin 2010, vetëm pak kohë pasi Epstein ishte liruar nga arresti shtëpiak në SHBA.
Sipas dokumenteve, Andrew i ka dërguar Epstein një mesazh urimi, duke e cilësuar lirimin e tij si një lajm shumë të mirë dhe duke shprehur dëshirën për ta takuar së shpejti në Paris. Mesazhet janë dërguar pasi periudha e provës pas dënimit të Epstein kishte përfunduar dhe janë pjesë e një serie komunikimesh të ruajtura nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Epstein ishte dënuar më herët për shfrytëzim seksual të një të miture dhe kishte vuajtur një dënim me kufizime të ashpra, përfshirë arrestin shtëpiak në rezidencën e tij në Florida. Publikimi i këtyre email-eve ka ringjallur debatet mbi marrëdhënien e Andrew me Epstein dhe mbi pretendimet se lidhjet mes tyre vazhduan edhe pas dënimit penal të financierit.
Zbulimet e fundit vijnë në një moment kur ndaj Princ Andrew po shtohen akuzat indirekte dhe dëshmitë në dosjet e lidhura me Epstein. Një grua e dytë, pas rastit të njohur të Virginia Giuffre, ka deklaruar se është trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar për kontakte seksuale me Andrew, pretendime që ai i ka mohuar vazhdimisht.
Andrew ka pohuar më herët se takimi i tij me Epstein në fund të vitit 2010 kishte për qëllim ndërprerjen përfundimtare të marrëdhënieve mes tyre. Megjithatë, dokumentet e reja hedhin dyshime mbi këtë version, pasi tregojnë se komunikimi mes tyre vazhdoi edhe pas këtij momenti.
Jeffrey Epstein vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjykimin për akuza të rënda për trafikim seksual. Hetimet dhe publikimi i dokumenteve të reja vazhdojnë të ekspozojnë rrjetin e marrëdhënieve që ai kishte ndërtuar me figura të fuqishme politike dhe mbretërore, duke mbajtur çështjen ende të hapur në opinionin publik.
