
Në një shënim të brendshëm të vitit 2013, Jeffrey Epstein pretendon se Gates i kishte kërkuar të fshiheshin email-e që lidhen me një sëmundje seksualisht të transmetueshme
Dokumente të reja të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së për dosjen e Jeffrey Epstein përmbajnë pretendime të rënda ndaj bashkëthemeluesit të Microsoft, Bill Gates, të përfshira në një email të shkruar nga vetë Epstein në vitin 2013.
Sipas mediave britanike, në veçanti Telegraph, Epstein i kishte dërguar vetes një shënim më 18 korrik 2013, ku përshkruante përkeqësimin e marrëdhënies së tij me Gates. Në këtë email, Epstein pretendon se Gates i kishte kërkuar të fshiheshin korrespondenca që lidhen me një sëmundje seksualisht të transmetueshme, si dhe t’i siguronte antibiotikë që, sipas shënimit, do t’i jepeshin fshehurazi bashkëshortes së tij të atëhershme.
Email-i përmban edhe referenca të tjera personale, të cilat po qarkullojnë gjerësisht në media pas publikimit të dokumenteve nga autoritetet amerikane. Deri më tani, këto pretendime mbeten akuza të shkruara nga Epstein dhe nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura apo nga vetë Gates.
Materiali në fjalë është pjesë e rreth tre milionë dokumenteve që Departamenti Drejtësisë bëri publike së fundmi, në kuadër të transparencës mbi dosjet që lidhen me rrjetin e kontakteve dhe aktivitetet e Epstein.
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, deklaroi në një konferencë për shtyp se publikimi përfshin rreth 2 mijë video dhe 180 mijë imazhe, si dhe materiale të shumta të sekuestruara nga pajisjet elektronike të Epstein, përfshirë përmbajtje pornografike.
Publikimi i këtyre dokumenteve ka rikthyer në vëmendje marrëdhëniet e Epstein me figura të fuqishme të biznesit dhe politikës globale, duke nxitur debate të forta mbi ndikimin, pushtetin dhe mungesën e kontrollit institucional përreth elitave ndërkombëtare.
