
Zbulimet ndezin sërish debatin mbi ndikimin e Epstein te politikanët amerikanë, ndërsa House Oversight kërkon publikimin e plotë të dosjeve.
Dokumente të publikuara së fundmi nga prona e Jeffrey Epstein tregojnë se milioneri i dënuar për abuzime seksuale ka shkëmbyer mesazhe me Stacey Plaskett, delegate demokrate e Ishujve Virgjine, gjatë dëshmisë së Michael Cohen në Komitetin e Mbikëqyrjes në vitin 2019. Mesazhet, të raportuara fillimisht nga Washington Post, sugjerojnë se Epstein po ndiqte minutë pas minute seancën dhe i dërgonte vërejtje Plaskett pak para dhe gjatë pyetjeve që ajo i drejtoi Cohen.
Mesazhet nuk tregojnë për shkelje ligjore nga Plaskett, por nxjerrin në pah se Epstein kishte akses dhe guxim të ndërhynte në kohë reale në një dëshmi madhore të Kongresit. Në disa prej tyre ai i kërkon vëmendjen për deklarata të Cohen, komenton mbi persona kyç të Organizatës Trump, madje bën edhe vërejtje personale ndërsa kamera fokusonte deputeten. Pas seancës, Epstein e përgëzon me një mesazh të shkurtër.
Plaskett nuk ka dhënë koment për mediat, ndërsa zyra e saj ka deklaruar se gjatë dëgjimit ajo ka marrë qindra mesazhe nga staf, qytetarë dhe të tjerë, përfshirë edhe Epstein, duke e zvogëluar peshën e komunikimit. Dokumentet janë pjesë e një batchi të gjerë që House Oversight Committee publikoi këtë javë, duke thelluar më tej hijet rreth ndikimit politik të Epstein ndër vite.
Epstein kishte një histori të gjatë të ndërhyrjes në politikën e Ishujve Virgjine, ku zotëronte dy ishuj privatë ku, sipas prokurorëve, zhvillonte aktivitetet e tij kriminale. Ai kishte dhënë donacione, kishte krijuar lidhje me zyrtarë dhe kishte ndërtuar ndikim të konsiderueshëm lokal. Plaskett ishte përballur më parë me kritika për kontributet e marra nga rrethi i Epstein, të cilat më pas i kishte kthyer.
Dokumentet e reja vijnë ndërkohë që Kongresi po diskuton një nismë bipartizane për të bërë publike të gjitha dosjet e Epstein, pas presionit të vazhdueshëm nga familjet e viktimave dhe nga opinion publik, i cili kërkon transparencë të plotë mbi lidhjet e tij me politikanë, biznesmenë dhe figura të tjera me ndikim.
Epstein vdiq në paraburgim federal në vitin 2019, por ndikimi i tij në politikë dhe debatet rreth dosjes së tij vazhdojnë të trazojnë Washington-in. Zbulimet e fundit kanë ndezur një raund të ri akuzash mes demokratëve dhe republikanëve, të cilët përdorin çdo detaj të ri për të goditur kundërshtarët politikë.
