
Me një vendim befasues dhe unanim, Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme më 9 nëntor në Tiranë, duke e shpallur atë antikushtetues dhe duke ndalur përkohësisht procesin e nisur nga qeveria për zëvendësimin e Erion Veliajt. Megjithatë, Partia Socialiste u ka shpërndarë një mesazh të brendshëm strukturave, duke i udhëzuar të vijojnë përgatitjet për fushatën, pasi sipas saj vendimi i Kushtetueses nuk prek zgjedhjet e 9 nëntorit.
Mbahen ose jo zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës në 9 nëntor, Ogerta Manastirliu, mbetet njëkohësisht kandidate potenciale për në burgun e grave në Pogradec, për aferat qindra milionë euro në shëndetësi, që nga monopoli i oksigjenit gjatë pandemisë tek koncensionet e dyshuara korruptive, nën hetim nga SPAK, batërdinë me barnat, tenderat e paracaktuar dhe allishverishet me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Dosja e SPAK për koncensionin e paligjshëm 130 milionë euro i laboratorëve
Në 31 janar të vitit 2022, SPAK ka regjistruar procedimin penal nr. 18 për veprat penale shkelja e barazisë së pjesmarrësve në tendera dhe ankande publike, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, në lidhje me koncensionin 130 milionë euro të laboratorëve.

Faksimile: SPAK ka lajmëruar se koncesioni i laboratorëve është nën hetim që nga viti 2022
Sipas SPAK-ut koncesioni është në fazën e hetimeve paraprake. “Në lidhje me koncensionin e ‘Ofrimi i shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake’, i fituar nga kompania ‘LABORATORY NETWORKS’, rezulton të jetë regjistruar procedim penal në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake”, tha SPAK në vitin 2024.
Hetimet nisën pas një kallëzimi penal të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili auditoi gjatë vitit 2021 koncesionin e laboratorëve mjekësorë.
KLSH arriti në përfundimin se Ministria e Shëndetësisë me në krye Ogerta Manastirliun e kishte dhënë koncensionin në kundërshtim me ligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, kallëzoi në SPAK anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit si dhe i kërkoi zgjidhjen e kontratës.
Sipas KLSH-së, Koorporata Ndërkombëtare e Investimeve (IFC), pjesë e Bankës Botërore, kishte kërkuar skualifikimin e grupit të kompanive fituese, pasi njëra kompani shqiptare ishte në ndjekje penale në Spanjë.
Korporata Ndërkombëtare e Investimeve ka shprehur shqetësime serioze për integritetin e kompanisë së regjistruar në Holandë, AB Laboratory Solutions, e skeduar për mashtrim dhe krime financiare. Dhe pikërisht këtu qëndron kleçka. Kompania mashtruese “AB Laboratory Solutions B.V” e koncesionit të Laboratorëve me pronar Janis Karathano, ka të njëjtën adresë në Hagë dhe ka pasur të njëjtën administratore me kompanitë Arimo BV dhe Vendeka të Klod Allajbeut që kontrollon koncesionit tjetër 84 milionë euro të hemodializës.
Koorporata Ndërkombëtare e Investimeve (IFC) e ka njoftuar Ogerta Manastirliun se pas Janis Karathanos me kompaninë e tij mashtruese, fshihet një tjetër personazh, Klod Allajbeu, për të cilin SPAK, në një hetim paralel, e ka provuar se lëviz paratë e dy koncensioneve 215 milionë euro nga Tirana në Hagë dhe nga Haga në Londër.
Ndërkaq, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se AB Laboratory Solutions B.V u përdor si koracë për të mbuluar përqindjen reale të ndarjes së aksioneve në konsorcium. Ndarja ishte fiktive, pasi dy kompani në dukje të ndryshme, ishin faktikisht një, me pronar Janis Karathano.
“Nëse do të ishte paraqitur vetë Pegasus si aksioner në konsorciumin e ngritur, atëherë pjesmarrja e tij rezulton 75% e aksioneve dhe jo ndarja që është paraqitur në marrëveshjen e konsorciumit…, ku natyrisht ndryshojnë edhe kushtet e vlerësimit, të cilat në shumicën e detyrimeve i takojnë atij për t’u përmbushur si nga ana ligjore dhe financiare“, thuhet në raportin e KLSH.
Kompania Laboratory Networks ka pretenduar se “Konsorciumi fitues, qartazi dhe në mënyrë evidente ka përmbushur në mënyrë strikte dhe ka tejkaluar të gjitha kërkesat teknike, financiare dhe ligjore dhe kriteret e garës në tërësi, dhe mbi të gjitha ajo është përzgjedhur pasi ka ofruar çmimin më të ulët në këtë garë…”.
Të kallëzuar në SPAK janë Raimond Cimbi, ish-drejtor i Drejtorisë së Prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë, i cili ka qenë kryetar i komisionit të dhënies së koncesionit.
Janë kallëzuar edhe 6 anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit, konkretisht Silva Novi, përgjegjëse e sektorit të Standardeve dhe Protokolleve Spitalore në ministri, Leonora Horanlliu, përgjegjëse e sektorit të Programimit dhe Monitorimit Buxhetit në FSDKSH, Ariola Krymi, mjeke koordinatore në Laboratorin Biokimik në QSUT, Anjeza Alliu, përgjegjëse e sektorit të Prokurimeve, Gazmir Vehbi ekonomist në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve si dhe Armila Ali ekonomiste në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve.
Është kallëzuar në SPAK për shkelje të barazisë në tendera gjithashtu drejtoria e Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit në Ministrinë e Shëndetësisë Flutura Beqo, e cila ishte kryetare e komisionit të vlerësimit të ofertave, si dhe dy anëtarët e KVO Oltion Dhono, drejtor i Qendrës Kombëtare teknike Bio Mjekësore dhe Olsi Akshia, përgjegjës i sektorit të Ankesave dhe Administrative dhe Gjyqësore.
A mundet që këta 10 zyrtarë të firmosin një koncension 130 milionë euro jashtë rrezes së ministres Ogerta Manastirliu?
Po vetë Manastirliu a mundet të finalizojë me kokën e saj një koncension me kosto të tillë dhe të paligjshëm sipas IFC dhe KLSH?
Po Janis Karathano a ka fuqi të vendosë në rresht dhe të lëvizë mekanizmat e pushtetit për një koncension të dyshimtë me kosto 130 milionë euro për xhepat e shqiptarëve?
A ka përfituar Manastirliu nga koncensioni me natyrë korruptive apo ka finalizuar procedurën në këmbim të vijimit të karrierës si ministre e Shëndetësisë, më pas ministre e Arsimit dhe tashmë kandidate për Bashkinë e Tiranës?
Pse sot mungon shërbimi i laboratorëve dhe urdhërohen drejtorët e spitaleve të bëjnë tendera për këtë shërbim?
Paratë e koncensionit në Holandë, drejtorët e spitaleve urdhërohen të bëjnë tendera për shërbimin
Në 23 korrik 2019 regjistrohet në Tiranë kompania LABORATORY NETWORKS, me kapital 10 milionë lekë, e cila do të zbatonte kontratën e koncensionit me vlerë 130 milionë euro të laboratorëve të analizave mjekësore pranë spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes.

Kompania e zbatimit themelohet në qershor 2019, regjistrohet në korrik, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë e kishte lidhur kontratën që në prill 2019 me bashkimin e tre kompanive fituese të koncensionit.


Kompania është në pronësi të tre kompanive me vendndodhje në Shqipëri, Holandë dhe Francë.E para është LABOPHARMA SHPK, themeluar në 2007 nga shtetasi grek Ioannis Xopapas dhe Janis Karathano.

Kompania Labopharma, e skeduar për mospagim detyrimesh tatimore dhe që ka një licencë për shitje barnash, ka 41.7 % të aksioneve, rrjedhimisht të koncensionit të laboratorëve. Sot, pronar të Laboparma janë Janis Karathano me 50 % të aksioneve dhe kompania T-MEDSS me 50 % të aksioneve.
Pronar i T-MEDSS, një kompani fantazmë e themeluar në vitin 2021, është Sokol Ramizi. Sokol Ramizi është edhe administrator i koncensionit të laboratorëve. Sokol Ramizi, me anë të T-Medis është aksioner te kompania Megapharma e Rasim Hamzarajt, i njohur si daja i Petrit Vasilit.
Kompania e dytë e koncensionit të laboratorëve është AB Laboratory Solutions B.V, kapital 2.1 milionë lekë, me adresë në Laan Van Meerdervoort 1224, 2555 CD Hague, Hollandë, e cila ka 33 % të aksioneve në kompaninë koncensionare të laboratorëve.

Kompania është themeluar në vitin 2007 dhe nuk ka asnjë lidhje me laboratorët dhe diagnostikimin, por ka si objekt veprimtari financiare.
Kjo kompani, me administrator Konstantinos Karathanos, është në pronësi të kompanisë shqiptare Pegasus, me pronar të vetëm Janis Karathano, me të cilën ka marrë mbi 100 tendera në shëndetësi me vlerë rreth 20 milionë euro. Konstantinos Karathanos është i biri i Janis Karathanos.
Më herët administratorë të kompanisë AB Laboratory Solutions B.V kanë qenë Orinoco Mining & Resources B.V, ITPS (Netherlands) B.V., Luisa Cinzia Ramasso dhe Alexandra Eleonora. ITPS ka administruar edhe kompani të tjera në Holandë, përfituese e koncensioneve në Shqipëri, konkretisht kompanitë që mbulojnë në Hagë koncensionin e hemodializës së Klod Allajbeut.
Dy nga katër koncensionet në shëndetësi dyshohet se kontrollohen nga e njëjta dorë. Gjithsesi, në letra Janis Karathano dhe Sokol Ramizi kontrollojnë në letra 75 % të koncensionit.
Karathano ka blerë dhe përdorur një kompani financiare në Holandë, për të krijuar idenë e një bashkimi ndërkombëtar shoqërish, duke fituar koncensionin 130 milionë euro.Kompani e tretë, e cila ka 25 % të koncensionit të laboratorëve, është EXALAB, një shoqëri franceze e regjistruar në Francë, me adresë në 208 Avenue Pasteur 33600 Pessac, Francë, dhe nr. regjistrimi 323 191 106 R.C.S Bordeaux.
Në të gjithë këtë kartel kompanish të sajuara dhe të ndërlidhura me Janis Karathanon, e vetmja kompani reale është shoqëria franceze EXALAB, me objekt laboratorët për analiza mjekësore, themeluar në vitin 1998, me administrator Olivier MARQ dhe Valérie MARAZANOF, me kapital 4.8 milionë euro.
Procedurat për koncensionin e laboratorëve nisën në vitin 2015 dhe u finalizuan në 2019 nga Ogerta Manastirliu. Kontrata u firmos në 10 prill 2019.
Në bazë të kontratës, spitalet i paguajnë konçesionarit tarifën e shërbimit për të gjitha analizat e kryera në bazë të rekomandimeve të mjekëve referues, gjithmonë pa tejkaluar tavanin e buxhetit. Tavani është një buxhet mujor i caktuar për çdo spital për analizat, i cili nuk duhet tejkaluar.
Në fund të muajit maj të vitit 2022, pati një urdhër që të mos referonin analiza për pacientët e tyre, me përjashtim të rasteve tejet urgjente, pasi ishte prekur tavani për atë muaj. Pra, kush pati fat, i bëri analizat, ndërsa të tjerët duhet t’i drejtoheshin privatit, edhe pse kanë paguar për vite me radhë sigurime shëndetësore dhe ministria kishte kontraktuar një kompani për këtë shërbim.
Në lojë Fondi
Një raporti vjetor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), tregon se në vitin 2022 numri i ekzaminimeve laboratorike vitin ishte 5,372,603 me rënie 17 % në krahasim me vitin 2021. Por, në vend që të uleshin, pagesat buxhetore u rritën në vitin 2022 ndaj koncensionarit që ofron ketë shërbim.
FSDKSH i pagoi në vitin 2022 koncesionin e laboratorit me 1,6 miliardë lekë nga 1,1 miliardë lekë në vitin 2021 me një rritje 46%, ndërkohë që analizat kishin rënë me 17 %.
Në krye të Fondit ka qëndruar tre vite bashkëpunëtorja më e ngushtë e Manastirliut, Albana Adhami Çela, e cila në raportet e KLSH vizatohet si zyrtarja më e korruptuar në Shqipëri, e cila me veprimet dhe mosveprimet e saj me mafien e ilaçeve, i ka shkaktuar shtetit shqiptar dhjetëra milionë euro dëm, por dëmi më i rëndë dhe i pakthyeshëm është në shëndetin e qytetarëve me ilaçe të skaduara dhe të ndaluara.
Spitalet udhëzohen të bëjnë tendera për të mbuluar gropën e koncensionit
Kompania e komcensionit 130 milionë euro të laboratorëve ndan divident vjetor rreth 1.5 milionë euro. Edhe këto para i mban për rezerva të kompanisë. Dhjetëra milionë euro kanë shkuar për në Holandë.
Për të mbuluar këtë gropë, Ministria e Shëndetësisë ka udhëzuar spitalet për të zhvilluar tendera për shërbimin që duhet t’a ofronte komcensionari. Udhëzimi i ministirisë refletkohet në një tender të Spitalit Rajonal të Beratit për blerje materiale për marrjen e mostrave të anatomisë patologjike, sërish në zbatim të kontratës koncesionare të laboratorëve.

Faksimile: Spitali i Beratit thotë se ka vepruar pas udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë
Në dokumentet shoqëruese, Spitali Rajonal i Beratit thotë se po vepron në bazë të disa udhëzimeve. Sipas saj, ka vepruar bazuar në kontratën e koncesionarit të laboratorëve të datës 10 prill 2019, disa e-maile të vitit 2021 mbi zbatimin e kësaj kontrate apo edhe shtojca dhe sërish udhëzime në vitin 2025.
Spitali Rajonal i Beratit shkruan se ka marrë disa udhëzime edhe në janar 2025, dërguar në formë elektronike me datë 29 janar 2025 nga Ministria e Shëndetësisë “për lejimin e prokurimit për blerje kite, reagent dhe materiale konsumi laboratorik”.
Por, si mund të “detyrohen” këto spitale të ndihmojnë firmën koncesionare?!
Përgjigja është kjo; Shqiptarët paguajnë dy herë për të njëjtën shërbimin, meqenëse paratë e pagesës së parë duhet të shkojnë nga Tirana në Hagë, nga Haga në Londër dhe nga Londra në Tiranë për të mbyllur ca punë të tjera si investime në kulla dhe resorte, mbyllur ndonjë dosje, luks, ruajtjen e linjave politike etj. /Pamfleti