
Presidenti amerikan e quan dorëzimin e ishujve Mauritiusi një dobësi strategjike dhe e lidh me ambicien për Groenlandën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka kritikuar ashpër Mbretërinë e Bashkuar për marrëveshjen që parashikon dorëzimin e Ishujve Çagos Mauritiusi, duke e cilësuar këtë vendim si një akt “marrëzie të madhe” dhe një dështim serioz të sigurisë kombëtare.
Në një reagim publik në platformën Truth Social, Tramp deklaroi se Londra po heq dorë nga territore me rëndësi jetike strategjike, duke sinjalizuar dobësi që, sipas tij, është vënë re nga Kina dhe Rusia. Ai theksoi se ishulli Diego Garcia, pjesë e arkipelagut Çagos, është vendndodhja e një baze ushtarake kyçe amerikano-britanike, thelbësore për interesat e sigurisë së SHBA-së.
“Britania po dorëzon një territor jashtëzakonisht të rëndësishëm pa asnjë arsye. Nuk ka asnjë dyshim se Kina dhe Rusia e kanë vënë re këtë dobësi totale”, shkroi Tramp, duke shtuar se ky veprim përbën një tjetër argument pse, sipas tij, Groenlanda duhet të kalojë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara.
Deklaratat përfaqësojnë një kthesë të fortë qëndrimi nga ana e presidentit amerikan, i cili më herët kishte shprehur mbështetje për marrëveshjen mes Britanisë dhe Mauritiusi. Marrëveshja parashikon që Londra t’ia kthejë arkipelagun ish-kolonisë së saj, ndërsa SHBA dhe Britania do të vijojnë përdorimin e bazës ushtarake përmes një kontrate qiraje.
Çështja e Ishujve Çagos ka qenë objekt debatesh dhe betejash ligjore për dekada. Në vitin 2019, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë rekomandoi që Britania t’ia kthente territorin Mauritiusi, duke e konsideruar administrimin britanik pas pavarësisë së këtij shteti si të paligjshëm.
Tramp e lidhi drejtpërdrejt këtë zhvillim me ambicien e tij për Groenlandën, duke argumentuar se dobësitë e aleatëve europianë justifikojnë nevojën e SHBA-së për të siguruar territore strategjike. Retorika e tij ka rritur tensionet me aleatët e NATO-s, përfshirë qeverinë britanike të drejtuar nga Keir Starmer, ndërsa marrëdhëniet transatlantike vijojnë të përkeqësohen mes kërcënimeve për tarifa dhe përplasjeve gjeopolitike.
