

Prej katër vitesh, 53 nxënës të fshatit Donofrosë në bashkinë Dimal zhvillojnë mësimin në një lokal të marrë me qira nga bashkia, pasi shkolla 9-vjeçare e fshatit është mbyllur me arsyetimin e rrezikut për shembje.
Në ambientin e përshtatur, gjashtë klasat ndahen vetëm me perde, duke krijuar zhurmë dhe pamundësi përqendrimi. Fëmijët ankohen për mungesë kushtesh minimale dhe madje edhe për praninë e gjarpërinjve brenda godinës.
Banorët, të mbështetur nga kryeplaku i fshatit, kundërshtojnë versionin e autoriteteve, duke thënë se godina nuk ka rrezik shembjeje dhe se mbyllja është bërë për interesa të ngushta. Sipas tyre, ndërtesa ka një themel të fortë dhe ka nevojë vetëm për lyerje e mirëmbajtje, jo për mbyllje.