
Gjykata e Apelit konfirmon fajësinë për shkelje të barazisë në tendera, por ndryshon mënyrën e ekzekutimit të dënimit për ish-zyrtarët vendorë
GJKKO ka shpallur vendimin përfundimtar në lidhje me ankimimin e pesë të pandehurve të dosjes së njohur si “5D”, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, por duke ndryshuar mënyrën e ekzekutimit të dënimit.
Të pandehurit, ish-zyrtarë të Bashkia Tiranës, janë Eglantina Zere, Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulati. Ata janë shpallur fajtorë për veprën penale shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, e kryer në bashkëpunim.
Secili prej tyre ishte dënuar në shkallë të parë me 9 muaj burgim, dënim që pas uljes me një të tretën u konvertua në 6 muaj. Gjykata e Apelit vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vënien e tyre në shërbim prove për një periudhë 12-mujore.
Gjatë kësaj kohe, pesë ish-zyrtarët janë të detyruar të paraqiten pranë Shërbimit të Provës dhe të mos kryejnë vepra të tjera penale. Po ashtu, atyre u është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej pesë vitesh.
Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet procedurale dhe gjyqësore, si në shkallë të parë ashtu edhe në apel, t’u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare. Vendimi u shpall në Tiranë më 29 janar 2026.
