
Nën akuzë drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ekspertët paralajmërojnë rrezik për sovranitetin digjital dhe të dhënat kritike të shtetit
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi të martën goditjen e një grupi të dyshuar kriminal në krye të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, duke vendosur nën akuzë tetë persona për një seri veprash të rënda penale. Mes të dyshuarve janë edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi, të cilat ndodhen nën masën e arrestit shtëpiak.
Sipas hetimeve të SPAK, Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiraj dyshohet se kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderave të AKSHI-t, duke përdorur presion, dhunë dhe pengmarrje për të ndikuar procedurat e prokurimit publik. Edhe pse Agasi dhe Beqiraj i kanë shpëtuar arrestimit, hetimi i Prokurorisë i konsideron ata pjesë kyçe të skemës kriminale.
Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për cënimin e sigurisë kombëtare, pasi AKSHI është një nga institucionet më sensitive në vend. Kjo agjenci menaxhon thuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes platformës E-Albania, përfshirë edhe të ashtuquajturën ministrja digjitale Diella, e krijuar me inteligjencë artificiale. AKSHI administron sisteme dhe të dhëna që konsiderohen pjesë e infrastrukturës kritike kombëtare.
Ekspertët e sigurisë theksojnë se depërtimi i interesave kriminale në një institucion që kontrollon infrastrukturën digjitale të shtetit përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për sovranitetin digjital. Sipas tyre, humbja e kontrollit mbi të dhënat kritike do të thotë humbje e kontrollit mbi funksionimin e shtetit, vendimmarrjen dhe sigurinë e tij.
Arjan Dyrmishi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, vlerëson se rasti tregon një dështim të thellë të kontrollit institucional brenda AKSHI-t, mekanizma të brishtë të prokurimit dhe mungesë mbikëqyrjeje efektive mbi drejtuesit. Ai paralajmëron se përdorimi i dhunës për të heshtur kundërshtarët e brendshëm krijon një klimë frike që e bën sigurinë operacionale të institucionit jo funksionale.
Edhe ish-kreu i Forcës Detare, Artur Meçollari, ngre alarmin se të dhënat kritike që përpunon AKSHI mund të kenë përfunduar në duart e kompanive që kanë fituar tendera të diktuar nga grupi kriminal. Sipas tij, nëse këto kompani kanë qenë të pajisura me certifikata sigurie nga institucionet përkatëse, atëherë çështja vë në pikëpyetje gjithë sistemin e sigurisë kombëtare.
Meçollari paralajmëron se zotërimi i këtyre të dhënave nga grupe kriminale krijon rrezik real për tregtimin e tyre në tregun e zi dhe mundësinë që ato të bien në duart e grupeve kriminale ndërkombëtare apo shteteve armiqësore ndaj Shqipërisë.
Ekspertët bien dakord se korrupsioni në tenderat publikë të një agjencie të tillë përbën jo vetëm shkelje ligjore dhe morale, por edhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare. Sipas tyre, fakti që hetimi është çuar përpara nga SPAK tregon se hallka të tjera të sistemit të sigurisë nuk kanë funksionuar siç duhet.
Nga ana politike, mazhoranca është mjaftuar me përshëndetjen e aksionit të SPAK, pa shoqëruar reagimin me akte konkrete përgjegjësie apo llogaridhënie institucionale. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se gëzohet sa herë që SPAK realizon operacione.
Ndërkohë, opozita e konsideron rastin alarmant dhe kërkon hetim më të thellë politik e institucional. Përfaqësues të saj kërkojnë seanca dëgjimore urgjente në komisionet parlamentare, thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pezullimin e personave nën akuzë dhe ndërhyrjen e partnerëve ndërkombëtarë, NATO dhe BE, për të garantuar sigurinë e të dhënave dhe stabilitetin e vendit.
Hetimet për tenderat e AKSHI-t pritet të testojnë kufijtë mes përgjegjësisë penale, dështimeve institucionale dhe debatit politik mbi mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe të dhënave jetike të qytetarëve dhe shtetit shqiptar./BIRN
