
Ish-ministri britanik dhe ish-ambasadori në SHBA jep dorëheqjen pas publikimit të dokumenteve të reja nga autoritetet amerikane, duke thënë se nuk dëshiron t’i shkaktojë dëm politik forcës së tij
Lord Mandelson, ish-ministër i rëndësishëm i qeverive laburiste dhe ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara, ka dhënë dorëheqjen nga anëtarësimi në Partinë Laburiste, pas përfshirjes së emrit të tij në dosjet e reja që lidhen me Jeffrey Epstein. Lajmi është konfirmuar nga BBC.
Vendimi vjen pas publikimit të dokumenteve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, ku përmenden pagesa financiare të dyshuara të lidhura me emrin e Mandelson. Sipas këtyre dokumenteve, Epstein ka kryer tre pagesa prej 25 mijë dollarësh gjatë viteve 2003 dhe 2004, të cilat shfaqen të lidhura me ish-zyrtarin britanik.
Lord Mandelson ka deklaruar se nuk ka dijeni dhe nuk mban mend për këto pagesa, duke i cilësuar pretendimet si të pavërteta, por ka theksuar se do t’i hetojë personalisht. Në letrën e dorëheqjes drejtuar Partisë Laburiste, ai shprehu keqardhje të thellë për marrëdhëniet e tij të së kaluarës me Epstein dhe kërkoi falje për gratë dhe vajzat, zërat e të cilave, sipas tij, duhej të ishin dëgjuar shumë më herët.
Ai theksoi se vendimi për t’u tërhequr nga partia është marrë për të mos i shkaktuar më tej dëm politik Laburistëve. Zbulimet e fundit kanë shkaktuar reagime të forta në skenën politike britanike. Deputetë laburistë e cilësuan dorëheqjen si një hap të nevojshëm, ndërsa Partia Konservatore kritikoi kryeministrin Keir Starmer, duke deklaruar se ai duhej ta kishte përjashtuar më herët Mandelson nga radhët e partisë.
Udhëheqësja konservatore Kemi Badenoch kërkoi gjithashtu hapjen e një hetimi të plotë për çështjen. Lord Mandelson ishte larguar nga posti i ambasadorit britanik në SHBA vitin e kaluar, pikërisht për shkak të lidhjeve të tij të mëparshme me Epstein.
Autoritetet amerikane theksojnë se përmendja e një emri në dokumente nuk përbën provë për shkelje penale. Jeffrey Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza të rënda për trafikim seksual.
