Prokuroria e Apelit ka shpallur pretencën për mjekët Petrit Rexhepi dhe Elona Burba, të akuzuar për rastin e vdekjes së Doriana Hakës, bashkëshortes së portierit të Partizanit, Alban Hoxha, e cila humbi jetën në nëntor të vitit 2014, dy javë pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë.
Për gjinekologun Petrit Rexhepi, Prokuroria kërkoi 9 muaj burg, por për shkak të moshës mbi 70 vjeç, kërkoi që dënimi të pezullohet dhe të vendoset në shërbim prove për 18 muaj
Gjatë kësaj periudhe, ai duhet të qëndrojë në kontakt me shërbimin e provës dhe të mos kryejë asnjë vepër penale. Po ashtu, Prokuroria kërkoi që Rexhepit t’i pezullohet licenca për 5 vite.
Ndërkohë, për reanimatoren Elona Burba u kërkua 1 vit burg dhe pezullim i licencës për 5 vite.Në 10 nëntor, kur do të zhvillohet seanca e radhës, pritet që mjekët të paraqesin argumentet e tyre mbrojtëse.Shkalla e Parë e Gjykatës së Tiranës i kishte shpallur fajtor dy mjekët për veprën penale mjekim të pakujdesshëm dhe i dënoi vetëm me 4 milion lekë të vjetra gjobë.
